Limaj: Haradinaj do ta formojë qeverinë në afat optimal (Video)

E publikuar: 29/06/2017 20:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Qeveria e Kosovës do të formohet në kohë optimale. Kështu beson partneri i koalicionit fitues të zgjedhjeve PAN, Fatmir Limaj, i cili ka thënë se Ramush Haradinaj do të arrijë të bindë edhe deputetët e tjerë për votë pro. Ai ka hedhur poshtë zërat se Nisma do të ndahet nga PAN’i.

“Një koalicion ka dalë fitues, që është ky koalicion. Unë besoj që vendit i duhet urgjentisht krijimi i institucioneve, krijimi i qeverisë”, ka thënë Limaj për RTV Dukagjini.

“Pres që në afatin optimal, në afatin e paraparë me ligj, të konstituohen organet, institucionet e vendit, dhe të fillohet me punën”, është shprehur Limaj, transmeton Gazeta Express.

“Dhe, pres që mandatari ynë, zotëri Haradinaj, të votohet në Parlament, dhe kështu të fillojë puna”, ka thënë ai.

Limaj ka theksuar se nuk sheh asnjë arsye që të mos ndodhë kjo.

“Ne si partnerë ia kemi dhënë autorizimin Haradinajt që t’i bëjë ftesë grupeve politike, për të ndërtuar partneritet qeverisës, dhe kjo do të ndodhë në ditët në vijim”, ka thënë Limaj.