Limaj e Ahmeti thonë se njerëzit e Trump përmendën mundësinë e largimit të trupave

E publikuar: 28/02/2019 22:45
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë edhe kushte të reja për shefin e qeverisë kosovare, Ramush Haradinajn, për aq sa nuk e hjek taksën ndaj prodhimeve serbe. Dy emisarët që erdhën në Prishtinë, bën me dije se mund të mbyllet edhe kampi Bondsteel, nëse nuk plotësohet kjo kërkesë e Washingtonit.
Bashkëkryesuesi i delegacionit, Shpend Ahmeti ka thënë se sot gjatë takimit me delegacionin amerikan është diskutuar për taksën duke treguar se ata e kishin përmendur si mundësi edhe largimin e kampit të Bondstilit nga Kosova. Të njëjtën gjë e ka pohuar edhe Fatmir Limaj.

“Nuk mund të them se është qëndrim i administratës amerikane. Ata kanë nis masat e lehta. Nuk është qëndrim zyrtar tërheqja e ushtarëve. Ata po thonë ‘Mos na lini që të fajësohemi për bllokim’. Ka ndryshuar narracioni në tre muajt e fundit nuk përdoret më shprehja “Marrëveshja ligjërisht e obligueshme”. Amerika s’e përdor më këtë shprehje. Amerika po flet për njohje të Kosovës nga Serbia. Amerika nga Serbia pret që ta njeh Kosovën”, ka thënë Shpend Ahmeti në Klan Kosova.

Ahmeti, ka thënë se protagonizmi i figurave politike në vend është duke dëmtuar procesin e dialogut.

Sa i përket taksës ndaj produkteve serbe ai ka thënë se SHBA është duke kërkuar suspendimin e saj.

Kurse, zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj ka thënë se qëndrimi i tij është negocimi i taksës.

Limaj në Zona e Debatit ka ndarë pjesë edhe nga takimi i sotëm që kanë pasur si delegacion me zyrtarët e lartë të Këshillit për Siguri Kombëtare të SHBA-së që po qëndrojnë në Kosovë..

“Sot ju kemi thënë se taksa vetvetiu nuk hiqet. Serbia duhet të plotësojë kërkesa deri te heqja. Ata thanë, në rregull. ‘Çfarë ne duhet ne t’i kërkojmë Serbisë që të hiqet taksa’, thanë. Janë të gatshëm që të negociojnë që edhe pala serbe të bëjë lëshime. Ajo që na u tha edhe sot: çfarë kërkoni ju që të hiqet taksa?”.

“Ne kemi shumë kërkesa, Serbia të ndalë veprimet e veta agresive, qarkullimi i lirë, tabelat. Sot u bisedua edhe largimi i trupave serbe nga kufiri me Kosovën. Na thanë ‘Nuk po kërkojmë ta largoni taksën, por që Kosova t’i vë kërkesat e veta’. Kemi thënë se nuk është i mirë kushtëzimi. Përdorja e taksës si kusht është shembull i keq nga ana e Serbisë”, ka thënë Limaj.

Numri dy i Qeverisë së Kosovës ka bërë thirrje që Kosova të dalë unike në këtë proces.

“Si partner të koalicionit duhet në mënyre të permanente siç po e trajtojmë cili është interesi i vendit me tejkalu situatën. Kemi këndvështrime të ndryshme. Pozicioni im është të negociohet taksa. Serbia t’i heq arsyet pse e ka vendos taksën”, ka shtuar Limaj.