Ligji për zyrtarizimin e gjuhës shqipe pret nënshkrimin e presidentit Ivanov

E publikuar: 12/01/2018 17:37
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kabineti i presidentit të Maqedonisë, Gjorgje Ivanov ka konfirmuar se Ligji që rregullon përdorimin zyrtarë të gjuhëve tashmë është në duart e presidentit. Ky ligj të enjten u miratua nga shumica parlamentare në Kuvend. Nga kabineti i Ivanovit, thonë se presidenti i shteti do të marrë vendim të nënshkruaj të njëjtin ose do të vendos për të veto në kuadër të afatit ligjorë prej shtatë ditësh.

Nëse presidenti i shtetit Gjorgje Ivanov vendos që të mos e miratojë ligjin për përdorimin e gjuhëve, i cili i mundëson një shtrirje më të gjerë përdorimit zyrtarë të gjuhës shqipe, ai në afat prej 30 ditëve nga dita e miratimit, përsëri kthehet në diskutim në Kuvend për t`u miratuar, por në atë rast mjafton të sigurojë shumicën e thjeshtë, pa pasur nevojë të firmoset dhe nga presidenti.

Mirjana Najçeska, njohëse e çështjeve e juridike, njëherësh dhe aktiviste për të drejtat e njeriut thotë se me Ligjin për përdorin e gjuhëve në asnjë mënyrë nuk mbyllet kjo kaptinë e rëndësishme e Marrëveshjes së Ohrit.

“Janë bërë disa zgjidhje apo ndryshime kozmetike sa i përket përdorimit zyrtarë të gjuhës shqipe. Vetëm në dukje duken se janë bërë ndryshime qenësore, por në esencë nuk realizohet ajo që paraqet të drejtën thelbësore të qytetarëve”.

“Mendoj se zbatimi i këtij ligji do të jetë shumë i vështirë për shumë arsye, për shkak të mungesës së kuadrit, mungesës së mjeteve dhe më e rëndësishmja, mungesës së vullnetit politik. Andaj, miratimin e këtij ligji nuk e shoh si përmbyllje të një kapitulli shumë të rëndësishëm të Marrëveshjes së Ohrit ose si frymë që buron nga ky dokument kornizë”, thotë Najçevska.

Nga ana tjetër Visar Ademi njohës i çështjeve politike thotë se ligji në fjalë në masë të caktuar i hapë rrugë zbatimit më të gjerë të gjuhës shqipe, por kjo është shumë larg nevojave reale të shqiptarëve të Maqedonisë.

Ademi thotë se ligji i gjuhëve në asnjë mënyrë nuk duhet kuptuar si rizik për shtetin e Maqedonisë.

“Do të duhet të ndërpritet praktika e krijimit të debateve, madje pa asnjë lloj produktiviteti se gjoja zgjerimi i përdorimit zyrtarë të gjuhës shqipe çon një hap drejt federalizmit të shtetit apo të rrezikimit të Maqedonisë si shtet”, thotë Ademi. Sipas tij, këto lloj debatesh duhej të mbylleshin që në vitin 2001 kur ishte nënshkruar marrëveshja e Ohrit.

Presidenti i Maqedonisë në vazhdimësi ka theksuar se Ligji për përdorimin e gjuhëve është jo-kushtetues dhe e cenon unitaritetin e shtetit. Ligji për përdorimin e gjuhëve dje mori vizë nga shumica parlamentare pa pjesëmarrjen e deputetëve të VMRO DPMNE-së nga e cila parti është presidenti i shtetit Gjorgje Ivanov.