Ligji për paga do të ketë kosto shtesë për rreth 120 milionë euro

E publikuar: 04/02/2019 07:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Afro 120 milionë euro shtesë do të shkojnë për punonjësit e sektorit publik brenda një viti me Ligjin për paga, i cili është miratuar nga Kuvendi i Kosovës në një seancë maratonike, e cila ka përfunduar punimet në orët e hershme të mëngjesit të së dielës, shkruan sot “Koha Ditore”.

Bazuar në një dokument, të cilin e ka siguruar gazeta, koeficientet e rinj të propozuar nga Komisioni për Administratë Publike i rrisin pagesat për paga në sektorin publik në 730.795.911 euro.

Ky ligj, i cili ngjalli pakënaqësi të shumta në sektorë të ndryshëm, greva e presione, ka pësuar disa ndryshime nga drafti fillestar. Ligji në fjalë parashihet që të hyjë në fuqi 9 muaj pas publikimit në Gazetën Zyrtare.

Bazuar në koeficientet e rinj, sipas të dhënave të siguruara nga gazeta, del se paga bazë duke përfshirë llogaritjen e 73.141 zyrtarëve kap shumën prej 507.882.935 eurosh. Për Agjencinë Kosovare të Inteligjencës me 90 zyrtarë, kostoja është prej 2.636.957 eurosh. Për 3.253 zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes kostoja është 20.491.117 euro. Për Kuvend ndryshimet e koeficientit kapin vlerën 638.593 euro.