Ligjet i bën shteti, LGBTI është person juridik – si Kisha dhe BIK-u

E publikuar: 09/10/2017 16:47
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Drejtësinë e ka në kompetencë shteti. Ai menaxhon me të drejtat, ndalesat dhe obligimet e qytetarëve.

Ai është i thirrur që të lejojë apo ndalojë individë, grupe e aksione në veprimet e tyre.
Tjetërkush jo. Ai poashtu, nëpërmjet prokurorive është i obliguar që kur dikush shkel këto ligje të intervenojë.
Nëse dalin grupe qytetare, komunitete, shoqata dhe kërkojnë manifestime shteti konform ligjeve në fuqi është i detyruar t’i lejojë apo ndalojë, varësisht përmbajtjes së tyre.
Nëse ato janë nxitëse i ndalon, nëse janë paqësore i lejon.
Manifestimi i LGTB-së është lejuar duke u bazuar në këto ligje dhe parimin e kushtetutës së Republikës së Kosovës për grupim të lirë. Këto organizata nuk nxisin kundër grupeve tjera, përkundrazi janë inkluzive.
Reaguan shoqata dhe individë të ndryshëm që janë kundër këtij manifestimi. Edhe kjo shprehje e mendimit të strukturave tjera shoqërore është në përputhshmëri me ligjet dhe kushtetutën e Kosovës – shprehje e mendimit dhe qëndrimit të lirë. Kjo vlen deri në çastin kur nuk bëhen thirrje për stigmatizim, linçim dhe diskriminim të grupit në manifestim e e sipër.
Pikërisht këtë aludim për stigmatizim dhe linçim mirëpo e bënë kisha katolike kur thotë se kemi të bëjmë me njerëz të sëmurë që duhet shëruar. Kjo me arsyetimin se Zoti seksin e ka krijuar për të shumuar jetën. [Çuditërisht pse Zoti ia ndaloj elitës së tij ta kryej këtë funksion – kastës së priftërinjve].
Me të njëjtën retorike kërkuan edhe qarqet islame ndalimin e manifestimeve të tilla. Të shoqëruar me xhematet dhe meshtarët e tyre.
LGBT, Kisha Katolike, BIK si organizata, persona juridik, nuk janë shtetërore. Janë “private”. Nuk janë ruajtëse dhe garantuese të ligjeve dhe të Kushtetutës së Kosovës. Në këtë drejtim ata janë të barabarta. Madje më mirë janë të rregulluara, janë më konstruktive ndaj shtetit me ligj LGBT-të se tjerat, të cilat me kushtetutat private të tyre përmbajtësish janë në segmente të ndryshme kundër shtetit.
Asnjëra prej tyre, brenda kësaj konkurrence, nuk është e thirrur të ndajë mendim se duhet lejuar apo ndaluar diçka. Madje organizatat e emancipuara botës as që e bëjnë këtë përtej tempujve të tyre ku u lejohen ligjërimet doktrinare me besimtarët, anëtarët dhe ithtarët e tyre.
Shteti është sekular, i detyruar të garantojë koekzistencën e këtyre grupeve – plotë kundra njëra tjetrës – pa prishur rendin, sigurinë dhe paqen brenda shoqërisë.
Në shtetet sekulare si Kosova, me dokumente të ratifikuara ndërkombëtare për respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, nuk ka privilegjim apo diskriminim grupesh për shkak asaj se janë siç janë e ashtu si janë nuk rrezikojnë lirinë e tjerëve të jenë ashtu siç duan. Ata që linçojnë LGBT-të janë të natyrës kanosëse që duhet mbajtur rigorozisht në kontroll. Ngase kërkojnë primatin mbi gjithçka – edhe mbi shtetin.
Prandaj njerëzit që vërtet nuk mund ta pranojnë këtë formë koekzistence, futen në depresion të thellë dhe mund të bëhen agresiv, qoftë edhe për hir të shëndetit të tyre, mirëqenies së tyre duhet të kërkojnë strehim për të jetuar në shtete ku ekzekutohen publikisht njerëzit ndryshe si homoseksualët, lezbejket dhe gjithë ata që seksualitetin e tyre e ushtrojnë ashtu siç duan vetë e jo siç duan ideologjitë e ndryshme. Dhe gjersa ata mos të jenë pedofilë, diskriminues ndaj gjinive tjera, sforcues të eunukizmit e të llojit asnjë shtet nuk ka material ligjor për t’i ndaluar.
Shteti duhet ta qartësojë edhe më saktë këtë si ligjërim publik, që mos të vazhdohet më këto nxitje, stigmatizime, diskriminime dhe aludime nxitëse ose ndryshon kushtetutën dhe ndjek me ligj ata që kërkojnë qarqet religjioze.
Kjo është drejtësia, këto janë ligjet, ky është realiteti. Preferencat seksuale – deri sa nuk bien ndesh me ligjet në fuqi – e një grupi s’mund të jenë objekt i popullit e më hiç e grupeve nxitëse e aspak individëve që na sillen si instanca morale pa u dhënë mandatin kush.
Askush nuk duhet të qëndrojë mbi ligjin! As pushtetarët vetë. E nëse duam t’i bindim këta që të respektojnë shtetin ligjor, duhet masat poaq të japin shembull.