Lidington: Serbia duhet të ketë marrëdhënie të mira me Kosovën

E publikuar: 23/11/2015 15:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri britanik për Europën, David Lidington, thotë se Serbia dhe Kosova duhet t’i dyfishojnë përpjekjet në dialog në mënyrë që të arrihen marrëveshje të reja.

Ai, duke folur për marrëdhëniet Londër – Beograd pas mosanëtarësimit të Kosovës në UNESCO, për gazetën serbe “Blic” ka thënë se “këto marrëdhënie aktualisht janë të mira. Askush në Serbi nuk habitet që ne e përkrahim shtetësinë e Kosovës dhe anëtarësimin e saj në organizatat rajonale e ndërkombëtare. E përkrahim përparimin e deritashëm në dialog, por ne kemi dëshirë ta shohim Serbinë e Kosovën duke dyfishuar përpjekjet drejt marrëveshjeve të reja. Zgjerimi i BE-së bart supozimin se në fund Serbia e Kosova do të gjejnë mënyrë të jetojnë njëra pranë tjetrës”, transmeton Koha.net.

Në pyetjen nëse në fund të kësaj rruge a do të detyrohet Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës, Lidington ka thënë se “nuk i takon Britanisë të imponohet në marrëdhëniet ndërmjet Beogradit e Prishtinës duke thënë se çfarë saktësisht duhet bërë e rregulluar. Megjithatë, në hapje të procesit të anëtarësimit në BE është e shkruar se duhet të ekzistojnë marrëdhënie të mira me fqinj. Prandaj Serbia duhet të ketë marrëdhënie të mira me të gjithë, e edhe me Kosovën”.

Duke folur për datën se kur BE do të hapë kapitujt e parë me Serbinë, diplomati britanik ka thënë se beson se kapitulli 35 (për Kosovën) është afër përfundimit.

Lidington në fund ka thënë se është në interes të Serbisë të ndjekë rrugën evropiane.