Liderët e Maqedonisë mblidhen sërish sot

E publikuar: 26/05/2015 09:29
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Katër liderët e partive më të mëdha në vend, Nikolla Gruevski, Zoran Zaev, Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi do të mblidhen përsëri sot për herë të tretë për të zhvilluar një raund të ri bisedimesh për gjetjen e një zgjidhje për krizën që ka përfshirë vendin.

Dy takimet e para mes liderëve përfunduan pa ndonjë marrëveshje, madje pa marrëveshje përfundoi edhe takimi në Strasburg ku të pranishëm ishin edhe tre deputetë të Parlamentit evropian.

Ndërkombëtarë dhe ambasadorë të huaj si ai i SHBA-ve dhe të Bashkimit Evropian, ka pasur edhe në takimet që janë zhvilluar në Shkup, por edhe këto takime kanë përfunduar pa marrëveshje.

Njëra prej kërkesave që ka lideri i opozitës Zoran Zaev është dorëheqja e Qeverisë dhe e vetë kryeministrit Nikolla Gruevski, kryeprokurorit Marko Zvërlevski dhe drejtorit të radiotelevizionit të Maqedonisë. Zaev po ashtu po kërkon formimin e një Qeverie kalimtare me mandat për organizimin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

Por, Gruevski ka refuzuar deri tani dorëheqjen e tij dhe formimin e Qeverisë kalimtare, ndërsa njoftohet se është shprehur i gatshëm të bisedojë për të gjitha çështjet e tjera teknike dhe vërejtjet që opozita ka për proceset e kaluara zgjedhor.