Liberalizimi i vizave imponon luftën kundër krimit e korrupsionit

E publikuar: 04/04/2015 16:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në qershor 2015 mbushen tri vjet që nga fillimi i Dialogut për Liberalizimin e Vizave dhe Kosova, ende nuk i ka plotësuar të gjitha kriteret e vendosura nga Udhërrëfyesi.

Grupi për Studime Juridike dhe Politike i ka bërë thirrje Qeverisë që të ndërmarrë reformat e duhura për ta përmbyllur këtë proces brenda një afati sa më të shkurtër kohor, në mënyrë që dhe qytetarët e Kosovës të përfitojnë nga lëvizja e lirë dhe pa viza në vendet e zonës Schengen, duke i rikujtuar në të njëjtën kohë nevojën që procesi për liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian të shndërrohet në një prioritet absolut për të.
Që një gjë të tillë të ndodh, sipas kësaj organizate, Qeveria duhet t’i përkushtohet më me seriozitet zbatimit të kritereve të mbetura, në veçanti sa i përket Bllokut të Sigurisë dhe Rendit Publik dhe Parabllokut të Riintegrimit të personave të riatdhesuar, raporton Gazeta Tribuna.

Në këtë kontekst, Grupi për Studime Juridike dhe Politike vlerëson që kushtet e mbetura nuk mund të konsiderohen të përmbushura vetëm përmes adresimit në Kuvend të pakos së ligjeve të mbetura, dhe kjo mbetet një qasje të mangët.

Adresimi i kushteve të Udhërrëfyesit dhe të grupit të dytë të Rekomandimeve të Komisionit Evropian kërkojnë që Qeveria dhe institucionet e tjera të pavarura të dëshmojnë evidencë të qartë të luftës kundër krimit të organizuar, me theks të veçantë në luftën ndaj korrupsionit politik.

“Një dëshmi e tillë ende nuk është raportuar nga Qeveria dhe institucionet tjera gjegjëse (sidomos Prokuroria e Shtetit dhe sistemi gjyqësor), prandaj edhe e vlerësojmë qasjen e deritanishme të Qeverisë por edhe të sistemit të drejtësisë të papërgjegjshme dhe në kundërshtim me deklarimet e tyre publike për përkushtimin e tyre të plotë në adresimin e kritereve të Udhërrëfyesit”, thuhet në një komunikatë të kësaj GSJP-së.

Kjo organizatë, dëshiron t’i rikujtojë Qeverisë që përveç realizimit të hapave konkret të luftimit të krimit të trafikut me migrantë, ende nuk ka ndërtuar një bazë të sigurt ligjore dhe politikë riintegruese për qytetarët që riatdhesohen me forcë nga shtetet e zonës Schengen e që i përkasin grupit të fundit të emigrimit nga vendi ynë.

“Prandaj, kërkojmë që Qeveria, ndër të tjera, ta bëj të rregullt takimin, të paktën çdo dy javë, të Komitetit Drejtues për Liberalizim të Vizave, ku të përcaktojë edhe indikatorë matës për secilën ministri dhe organ tjetër sa i takon zbatimit të kritereve të mbetura”, thuhet në komunikatën e GSJP-së.