Lewandowski snobon Realin, rinovon me Bayernin

E publikuar: 29/03/2016 16:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Merr fund ëndrra e Realit të Madridit për të firmosur me Robert Lewandowskin. Sulmuesi polak, i cili ndodhej shumë pranë klubit merengues ka bërë prapakthehu duke vendosur të rinovojë kontratën e tij aktuale me Bayern Munich. Sipas asaj që raporton gazeta prestigjoze gjermane Bild, Lewandowski ka arritur marrëveshjen me drejtuesit e klubit bavarez për të rinovuar deri në vitin 2021, kontratën që i skadon në 2019-tën.

Nga nënshkrimi i marrëveshjes së re 27-vjecari nga Varshava do të përfitojë një pagë shumë më të lartë se ajo që merr aktualisht te Bayerni, edhe pse termat ekonomikë të rinovimit nuk bëhen të ditura nga Bild. Gazeta gjermane në shkrimin e saj nënvizon gjithashtu se marrja e drejtimit të skuadrës bavareze nga Carlo Ancelotti sezonin e ardhshëm ka patur një ndikim të madh në vendimin e Lewandowskit për të qëndruar në Allianz Arena. Përvec Realit të Madridit që e dëshironte me cdo kusht lojtarin për 27-vjecarin kishte shfaqur interes edhe Manchester City që sezonin e ardhshëm do të ketë në stol trajnerin aktual të Bayernit, Pep Guardiola.