Letra e dëshmorit amerikan në Kosovë: Nënë më uro fat!

E publikuar: 05/05/2016 10:53
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Përvjetori i rënies së dy ushtarëve amerikanë në kufirin Kosovë-Shqipëri është më 5 maj 1999.

Pas datës pesë maj, 1999, në derën e shtëpisë së familjes Gibbs në Montgomery të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të trokitnin zyrtarë të ushtrisë amerikane, shkruan lajmi.net

Me flamurin e palosur trekëndësh, ata do ta t’ua kumtonin lajmin për vdekjen e zotit të shtëpisë. Mbase zonja Jean Gibbs, nuk ka dashur ta pranojë se ata kanë ardhur në derën e saktë për ta kumtuar lajmin tragjik.

Megjithatë ajo dhe dy vajzat e saj, Allison dhe Megan, do t’i pranonin ngushëllimet për vdekjen e bashkëshortit, respektivisht babait të tyre, David Gibbs. Ky i fundit, nënoficer, ka ndërruar jetë më 5 maj 1999 afër kufirit Kosovë-Shqipëri, bashkë me Kevin Reicher, kur helikopteri i tyre ‘Apache’ u rrëzua në rrethana të panjohura. Ngjarja ka ndodhur gjatë luftës së fundit në Kosovë, teksa pilotët ishin nisur në mision, shkruan lajmi.net

Rreth dy javë para se të vdiste, më 24 prill, Gibbs do t’i shkruante letër nënës së tij. Ai e përshkruan Shqipërinë, vendin ku janë stacionuar asaj kohe forcat e NATO-së, si “shumë i keq” dhe po ashtu i kërkon nënës që t’i urojë fat, citon ‘arlingtoncemetery.net’.

“Ky vend është aq i keq saqë nuk mund ta imagjinosh. Asnjëherë më parë nuk kam qenë në një vend me kushte kaq të vështira. Mezi po pres të kthehem në shtëpi”, ka shkruar Gibbs.

Ai i tregon nënës se misioni do të filloj shpejt, dhe kërkon t’i uroj fat.

“Misioni do të fillojë shumë shpejt, kështu që më uro fat. Tregoju të gjithëve që i njeh se në këtë kohë jam duke pranuar paketa të kujdesit, siç janë biskotat. Shpresoj që kjo do të përfundojë shumë shpejt. Pra ti si je? Përshëndete Chuck-un dhe Pam-in, kujdesuni për veten. Ju dua përgjithmonë, Dave”, shkruan lajmi.net
Në artikullin e kësaj faqe të botuar më 5 qershor të ’99-ës, i përditësuar edhe dy herë të tjera më vonë, thuhet se sipas burimeve brenda Pentagonit aksidenti ka ndodhur si pasojë e një defekti mekanik kur ‘Apache’ ka humbur kontrollin stabilizues.

Sipas këtij artikulli, shkaqet e aksidentit nuk janë përcaktuar zyrtarisht dhe më 17 janar të vitit 2000, hetimet janë mbyllur pasi kanë dështuar në gjetjen e shkaqeve. Ndërkaq, sipas një raporti të ‘Dayton Daily News’, helikopteri më i avancuar i asaj kohe i ushtrisë amerikane ka rënë në tokë nga 150 metra lartësi dhe ka eksploduar.

As udhëheqësit e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk kanë pasur ndonjë informacion se çfarë ka ndodhur në të vërtet më dy ushtarët amerikanë.

Në 15 vjetorin e çlirimit të Kosovës me ndihmën e forcave aleate të NATO-së, nga regjimi serb, dy ushtarëve amerikanë Gibbs dhe Reicher, me iniciativën e ish-kryeministrit Hashim Thaçi, tash President, u është ngritur një obelisk në Prizren në shenjë nderimi. /lajmi.net