Leonard Bombaj dhe bashkëshortja rrëfejnë historinë e dashurisë!

E publikuar: 30/11/2017 18:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Jo, ti je e gatshme, por kush të sheh?” Një prej shprehjeve më të bukura e të trishta të një dashurie të vjetër dhe të re në të njëjtën kohë. Leondard Bombaj dhe Esmeralda Blaceri ishin dy të rinj që kishin harruar të jetonin. Ai shiste disa disqe të vjetër, ndërsa ajo ishte thjeshtë shoqërusesja e të vëllait të verbër.

Rrugët u bashkuan rastësisht dhe aq ishte e gjitha – fabula e trishtë e filmit “Tingujt e harresës”, i bëri bashkë të rinjtë që u dashuruan marrëzisht, madje guxuan marrësisht për dashurinë e tyre. Kështu lindi, në fakt, edhe dashuria e vërtetë e regjisorit të njohur dhe bashkëshortes së tij. Në atë kohë ishte veçse një 17-vjeçare, gjimnaziste, që ndoshta akoma nuk e kishte idenë se ç’rrugë do të ndiqte në të ardhmen, por dinte se, pas atij filmi, jeta për të mund të ndryshonte. 

Dhe ashtu ndodhi. Pas më shumë se 21-vjetësh, Nardi dhe Alda janë bashkë, sot prindër të dy fëmijëve të rritur, Marvi dhe Sirea. Natyrisht, bashkëjetesa e gjatë nuk ka kaluar pa sfida, por ka qenë aq i bukur ai udhëtim, i cili nisi nga një kërkim për një aktore të re – të ishte e bukur, por edhe të dinte ta fshihte bukurinë. Si Alda. Të dy artistët sot ishin të ftuar te “Rudina”, nga ku rrëfyen shumë prej momenteve më të bukura të jetës. Askush prej të dyve, sidomos ai, nuk do ta harrojnë momentin e parë të takimit të syve. Nardi gjeti atë që kërkonte, ndërsa Alda, pak më vonë, kuptoi se ai që e kishte kërkuar do të ishte zgjedhja e saj e jetës. “Unë mendoj që gjërat nuk ndodhin rastësisht. 

Universi i bashkon njerëzit. Por ajo që nuk do harroj ishte momenti kur ne do bënim audicione. U ndamë në dy grupe nëpër gjimnaze. Na duhej një vajzë e bukur, por që bukuria t’i fshihej. Unë zakonisht i pyesja “Kush do të marrë pjesë në një film?” Dhe disa ngrinin dorën. Alda nuk e ngriti dorën, qëndroi në heshjte, nuk tha asgjë. Kur unë zgjodha tre të tjerat, dola jashtë dhe po mbyllja derën. Mund ta kisha mbyllur në çdo mënyrë, por e mbylla në atë mënyrë që në fund fare, nga një hapësirë e vogël më kapi syri në fund dy sy me vështrim të hedhur përtej dhe një buzëqeshje. U ktheva dhe i thashë “Po ti goce do vish?” Po, ia ktheu ajo në atë kohë dhe kaq ishte e gjitha. Historia më tej ishte ajo që dimë. Leonardi dhe Alda u bënë pjesë e filmit “Tingujt e harresës”, ishin partnerë në film, por në jetë ishin lidhur tashmë. Më vonë u fejuan dhe disa vite më vonë u martuan. 

Provuan shumë, edhe të jetonin jashtë, edhe të sakrifikonin shumë për dashurinë, provuan edhe sfida të mëdha e të vogla, por sot të gjitha janë përvojë jete që më shumë e kanë forcuar dashurinë e dy njerëzve që janë rritur me njeri-tjetrin. Si ata të dy…/Revista Class/