“Lëmshi” i krijuar në Kosovë pas zgjedhjeve të 11 qershorit (Foto)

E publikuar: 22/07/2017 12:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Natën e 11 qershorit, disa orë pasi u mbyllën qendrat e votimit, në sheshet e Prishtinës pati dy festa. Në njërën anë ishte koalicioni PAN që po festonte rezultatet të cilat këtë koalicion e rendisnin të parin, kurse në anën tjetër Vetëvendosja e cila ishte e bindur se asnjë Qeveri nuk krijohet pa qenë edhe ata pjesë e saj.

Por situata doli të ishte shumë më e komplikuar se një shpallje e fitores, apo një festë nëpër rrugë, raporton lajmi.net

Që nga 12 qershori, koalicioni PAN vetëm filloi të bëj llogaritë për formimin e Qeverisë, ani pse qysh atë ditë koalicioni tjetër LDK-AKR-Alternativa, njëzëri u shprehën kundër çdo bashkëpunimi me Partinë Demokratike të Kosovës. Madje edhe partia e Behxhet Pacollit e cila spekulohej se mund të bëhej pjesë e Qeverisë, e mohonte këtë gjë kategorikisht.

Të befasishme ishin deklarata e zyrtarëve të koalicionit PAN të cilët ishin të bindur, ashtu qysh janë edhe sot, se i kanë numrat për formimin e Qeverisë, ani pse së bashku me minoritete ata arrijën shifrën e 59 deputetëve.

Teuta Rugova, Naser Rugova, Labinot Tahiri ishin emrat më të përfolur nëpër media që mund të jenë deputetët e mundshëm që do ta votonin Ramush Haradinajn për kryeministër.

Vajza e ish-presidentit Rugova, ishte shprehur se ajo do të respektonte vendimet e partisë, ashtu edhe sikur Naser Rugova. Por gjërat duket se ndryshuan pas një takimi që lideri i AAK-së zhvilloi dje gjatë ditës në rezidencën e ish-presidentit të Kosovës.

Përkundër kësaj, Teuta vazhdoi me deklaratat e saj se do të qëndron prapa vendimeve të partisë, por duke i bërë thirrje të gjitha subjekteve që të lëjnë inatet anash, dhe të bashkohen për të mirën e vendit.

Simpatinë ndaj Haradinajt nuk e ka fshehur as deputeti i ri i Kuvendit, Labinot Tahiri. Ai para disa ditësh në një prononcim për lajmi.net kishte thënë se dëshiron me zemër që lideri i AAK-së të bëhet kryeministër, por që ai vazhdon të këmbëngul në respektimin e vendimeve të partisë.

Pikërisht, lideri i partisë së Tahirit, Behxhet Pacollit doli me një propozim për krijimin e një qeverie gjithpërfshirëse, apo siç bëri thirrje ai te partitë politike, ta realizojnë një “marrëveshje historike”.

Në këtë propozim, Pacolli kishte kërkuar që kjo qeveri të ishte vetëm në afat 1 vjeçar, në mënyrë që të çoheshin përpra proceset me interes jetik për vendin duke filluar nga Demarakcioni, Ushtria, reformat zgjedhore etj.

Por thirrja e liderit të AKR-së për “marrëveshje historike”, hasi në vesh të shurdhër te subjektet e tjera. Ajo as që u përfill qoftë nga koalicioni LAA ku bën pjesë vet AKR-ja, nga koalicioni PAN apo edhe nga Lëvizja Vetëvendosje.

Gjatë kësaj kohe kur nga PDK-AAK-NISMA, shpreheshin të bindur se i kanë numrat, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Vetëvendosje filluan me takime dhe diskutime, për të krijuar një marrëveshje të mundshme, që nëse mandatari i parë dështon, atëherë qeveria të krijohej nga subjekti i dytë që ka dalur nga zgjedhjet e 11 qershorit.

Akuzat e ndërsjella që LDK dhe VV  i kishin ndër vite, tani janë heshtur. Dy partitë, po mundohen ta gjejnë gjuhën e përbashkët, në mënyrë që nëse u jepet shansi, ta udhëheqin Kosovën për katër vitet e ardhshme.

Për vonesën në thirrjen e seancës konstituive të Kuvendit, u fajësua edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi. Madje zyrtarë të VV-së ndaj tij patën edhe kërcënime të hapura, duke pretenduar se do ta rrëzojnë nga posti me protesta.

Por, para se ta thërras seancën konstituive të Kuvendit, presidenti Thaçi i ka ftuar të gjitha partitë parlamentare në një takim i cili do të zhvillohet të hënën.

Ftesa e Thaçit ende nuk dihet se a do të pranohet nga koalicioni LAA dhe nga VV, këta të fundit të cilët pretendojnë se nuk kanë obligim kushtetues për të marrë pjesë në këtë takim.

Pas këtij takimi, presidenti i vendit do ta thërras senacën konstituive, e cila sipas burimeve të lajmi.net, do të mbahet të premten e ardhshme. Kurse, seanca në të cilën do të votohet për Qeverinë, pritet të mbahet të martën e 1 gushtit.

Por kujt duhet t’ia jap mandatin presidenti?

Sipas nenit 95 të Kushtetutës së Kosovës, presidenti duhet që herën e parë t’ia jap mandatin partisë apo koalicionit që e ka fituar shumicën në zgjedhjet parlamentare.

Pika dy e këtij neni, thotë se kandidati për kryeministër jo më vonë se 15 ditë pas emërimit duhet ta paraqes para Kuvendit, përbërjen e re të Qeverisë.

Kurse pika katër e nenit 95 thekson se presidenti emëron kandidatin e dytë, por që nuk specifikohet nga cila parti.

“Nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, Presidenti i Republikës së Kosovës, brenda dhjetë (10) ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë. Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë Presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre”, thuhet në Kushtetuën e Kosovës.

“Lëmshit”, i cili ka filluar qysh pas zgjedhjeve të 11 qershorit, duket se do t’i vie fundi qysh nga fundi i javës së ardhshme. /Lajmi.net/