Lekaj: Thaçi i erdhi në tavolinë Ramushit, kodi etik bëri të mos e refuzojë (Video)

E publikuar: 05/05/2016 22:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka thënë se cakërrimi i gotave mes presidentit Hashim Thaçit dhe kryetarit të partisë së tij, Ramush Haradinajt, gjatë një takimi me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ka ndodhur pasi presidenti i vendit iu ofrua në tavolinë liderit të AAK’së.

“Edhe në kodin familjar, edhe në kodin e familjes, ai që të vjen në tavolinë për respekt me të përshëndet, nuk e refuzon. Haradinaj s’ka kurrfarë tendence e bashkëpunimi me këtë Qeveri”, ka thënë Lekaj në televizionin Rrokum, duke folur për fotografitë që qarkulluan sot, ku shihen bashkë Haradinaj dhe Presidenti Thaçi.

Lekaj ka vlerësuar se AAK e Nisma e kanë mbajtur fjalën e s’kanë shkuar në takim me Kryeparlamentarin Kadri Veseli, por që kanë marrë pjesë në takime me ndërkombëtarët, si rasti i seancës së sotme.

Për protestën e 14 Majit të thirrur nga AAK e Nisma për Kosovën, Lekaj ka thënë se gjatë mobilizimeve e ka parë se njerëzit nuk janë lodhur dhe kanë vullnet të protestojnë ende, dhe qysh po shihet, sipas tij, do të jetë protesta më masive që ka ndodhur ndonjëherë në vend.

“Ne nuk merremi shumë me partitë tjera, por merremi me punë për të bërë ndryshime pozitive në vend”, tha ai.

Duke folur për marrëdhëniet me Lëvizjen Vetëvendosje, Lekaj vlerësoi se sa më shumë kohë që po kalon, VV po bindet se nuk është në rrugën e drejt.

“VV duhet ta rishikojë vendimin e saj dhe t’i bashkohet opozitës. Nuk ka bashkëpunim me Qeverinë e s’ka as alternativë tjetër me VV’në”, u shpreh Lekaj.

Hashim-Ramush_copy1462466436