Lehne: Ballkani nuk është prioritet i Donald Trump

E publikuar: 10/02/2017 17:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Roli i ambasadorëve të huaj në rajon ka traditë, thotë Stefan Lehne, ekspert për politikën e Jashtme të BE-së në fondacionin e njohur “Carnegie Europe” në Bruksel, pas disa përplasjeve publike në rajon.
Serbien Donald Trump-Anhänger in Belgrad (Getty Images/AFP/O. Bunic)
Deutsche Welle: Në disa vende në Ballkan, ambasadorët amerikanë akuzohen nga figura publike për përzierje, madje ushtrim presioni. Në Shqipëri kryeprokurori i vendit bën fjalë për presion, në Maqedoni u fol për ndikim direkt në politikë. Më parë nuk dëgjoheshin kaq hapur zëra të tillë. Si e shpjegoni këtë?
Stefan Lehne: Në fakt më duhet të them, se gjatë angazhimit tim prej 10 vjetësh në Ballkan e kam dëgjuar shpesh këtë. Grindje me politikanëve lokalë dhe ambasadorëve amerikanë ka pasur herë pas here. SHBA janë një vend i fuqishëm, ambasadorët luajnë rol aktiv, kjo sjell herë pas herë fërkime. Nuk shoh ndonjë zhvillim të ri këtu. Roli i diplomacisë ndërkombëtare nuk është aq i fortë si në vitet 90-të, rajoni është stabilizuar, prandaj edhe roli nuk është më aq vendimtar si atëherë, por ky ndikim është prapë i madh, ka prezencë ndërkombëtare, edhe këto vende ndjekin politikën e afrimit me BE-në, këtu ambasadorët luajnë rol të rëndësishëm.
Këtë e kupton shpejt në rajon, ambasadorët i ke mjaft prezentë në media, në vende të tjera nuk është kështu, a është kjo shenja më e qartë edhe e demokracive të brishta në këto vende?
Kjo është një trashëgimi e së shkuarës. Sigurisht roli i bashkësisë ndërkombëtare në vitet 90-të ka qenë i fortë dhe i pazëvendësueshëm, Kosova ka qenë protektorat, Bosnja-Hercegovina po ashtu. Kjo trashëgimi me sa duket vazhdon ende. Por faktikisht ky rol ka ardhur duke u zvogëluar e natyrisht forcat e ndryshme politike në rajon bazohen si edhe më parë tek mbështetja e personaliteteve të huaja, por edhe profilizohen në kurriz të tyre pjesërisht.
Sa kanë të bëjnë zhvillimet e lartpërmendura me ardhjen e një presidenti të ri në SHBA, Donald Trump? Mund të flasim për formacione politike të reja në rajon që duan, le të themi, të fitojnë mbështetjen e Trump për arritjen e projekteve të tyre politike?
Më duket se kemi spekulime më shumë këtu se një bazë të vërtetë. Ajo që mund të thuhet me shumë gjasa është që Ballkani nuk gjendet në prioritetet e administratës së re. Ata kanë shqetësime të tjera, Kina, Meksika, Rusia. Ballkani zë një vend të vogël aty. Ndoshta me zonjën Clinton mund të ishin ndryshe gjërat, për shkak të përvojave të saj personale, si gruaja e ish-presidentit amerikan në vitet 90-të, ajo mund të kishte pasur një lidhje më të fortë me këtë rajon.
Por nga ana përmbajtësore, nuk mendoj se politika amerikane do të ndryshojë shumë, nuk kemi deri më tani ndonjë deklaratë nga ndonjë funksionar. Mendoj se angazhimi do të jetë më i vogël, por kjo nuk do të thotë që s’do të ketë vendin e vet, sepse amerikanët një influencë shumë të madhe në rajon, e mendoj se ambasadorët do të mbeten aktorë të rëndësishëm, edhe ndoshta nëse kanë më pak mbështetje nga Uashingtoni, gjithsesi roli i tyre do të jetë i fortë.
Deutschland Stefan Lehne Carnegie Europe Brüssel (Stefan Lehne)
Stefan Lehne
Çfarë ndryshimesh mund të priten në politikën e Trumpit për Ballkanin?
Teorikisht po, por para së gjithash do të ketë shumë më pak angazhim. Besoj do të ketë më pak aktivizëm, por edhe më tej influencë në sfera të caktuara. Ndërsa lidhur me përmbajtjet, tani spekulohet shumë, se si do të jetë marrëdhënia me Rusinë, do të ketë pajtim apo një përplasje të re, kjo mund të ketë ndikime edhe pse jo të drejtpërdrejta në politikën për Ballkanin.
Në ç’kuptim?
E kuptoj se në Serbi ka njerëz që shpresojnë se Trump do të largohet nga mbështetja tradicionale për Kosovën, por unë do të habitesha shumë nëse do të kishte ndryshime tejet themelore në politikën amerikane në këtë drejtim.
Në media flitet edhe për mundësinë e ndryshimit të kufijve në Ballkan, një temë tabu deri më tani. Mendoni se kjo mund të kthehet në një temë nën administratën Trump?
Ka pasur artikuj që sinjalizojnë një hapje për riorganizimin territorial të Ballkanit. Kjo është absolutisht e pakuptueshme për mua, për administratën e re kjo nuk do të jetë një temë parësore. Ata kanë shqetësime të tjera, një politikë e re e ndryshimit të kufijve kërkon një angazhim të jashtëzakonshm e intensiv. Kjo nuk pritet aspak tani. Mendoj, se administrata e Trumpit, kur të zhvillojë politikën për këtë rajon, e kjo do zgjasë disa muaj, sepse ende nuk është përcaktuar personeli, do të ecë në drejtimin mundësisht të ruajë stabilitetin në Ballkan. Jam gati i sigurtë që tendenca e politikës amerikane do të jetë në drejtim të ruajtjes së statusquosë.
Pa harruar që ndryshimi i kufijve nuk do të thotë patjetër paqe, sidomos në Ballkan…
Po, këto janë gjoja-zgjidhje që në fakt rindezin konflikte të reja. Edhe aktorët kryesorë politikë në rajon janë të mendimit se rindarja e territoreve do të sillte më shumë tragjedi se zgjidhje.
Tensionimet e fundit në marrëdhëniet Kosovë-Serbi, gjendja në Maqedoni, zhvillimet e fundit të bëjnë të pyesësh a po rizgjohen fantazmat e së shkuarës në Ballkan?
Shqetësimi im nuk është ringjallja e konflikteve, por stanjacioni i përgjithshëm, pra kur rajoni nuk ecën përpara, as ekonomikisht, as nga strukturat politike, ose që problemet e mbetura nga e shkuara vazhdojnë të mbeten të ngrira pa bërë progres. Letargjia është rreziku më i madh.
Si e shikoni rolin e BE-së në Ballkan aktualisht. Perceptimi i unionit ka ndryshuar pas krizave brenda BE-së, duket një lloj paralizimi, po e konkurrojnë BE fuqi të tjera si Turqia, SHBA?
Nuk mund të flitet për paralizim. Natyrisht për shkak të krizave të brendshme, influenca e BE-së është zvogëluar, edhe perspektiva e anëtarësimit ka humbur mjaft besueshmërinë, prandaj është e rëndësishme që jo vetëm Komisioni, por edhe vende të tjera si Gjermania apo vende pranë si Italia të mbeten të angazhuara. As vendet e rajonit nuk kanë një alternative tjetër strategjike se orientimi në BE, e as unioni nuk ka alternativë tjetër, pasi ai ka investuar shumë, për t’i hedhur poshtë këto investime. Si në anën ekonomike, ndihma teknike e të tjera, BE është në mënyrë të pakrahasueshme më e angazhuara, se sa vende të tjera, më shumë se SHBA, Rusia, Turqia do të jenë ndonjëherë.

Stefan Lehne është studiues i fondacionit “Carnegie Europe” me qendër në Bruksel. Politika e jashtme e BE-së edhe marrëdhëniet e vendeve anëtare si edhe Ballkani janë në fokus të studimeve të tij.