Legjonarët, moment i artë për Hysajn e Berishën

E publikuar: 23/01/2017 14:29
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Fundjavë e suksesshme për një pjesë të lojtarëve shqiptarë në Europë. Sigurisht emri më i lakuar i momentit është Etrit Berisha, i cili bashkë me Atalantën janë surprizat e vërteta të këtij sezoni në Serie A. Gardiani shqiptar e ruajti të paprekur katërkëndëshin në sfidën e Bergamos kundër Sampdorias ku zikaltërit triumfuan 1-0 dhe u rikthyen në garën për një biletë europiane. Edhe pse portieri i lindur në Prishtinë nuk kishte shumë punë në 90 minutëshin e luajtur në “Atleti Azzurri”, ai konfirmohet sërish një siguri e madhe për portën e skuadrës së Gasperinit. Më e hidhur rezultoi e diela për kapitenin e Pescaras, Ledian Memushaj. Mesfushori kuqezi hyri në fushën e lojës si zëvendësues në minutën e 63-, ndërsa skuadra abruceze regjistroi një tjetër humbje, këtë herë ndaj Sassuolos 3-1 në “Adriatico”.

Memushaj u bë protagonist 3 minuta nga fundi i takimit ur fitoi një 11-metërsh për skuadrën e tij që Biraghi nuk arriti ta transformonte në gol. Po në Serie A, minuta të limituara edhe për mbrojtësin Frederik Veseli që u aktivizua në minutën e 56 të ndeshjes Empoli-Udinese të fituar 1-0 nga skuadra toskane. 24-vjeçari kuqezi u tregua në lartësinë e duhur duke dhuruar edhe asistin e golit të shënuar në minutën e 82 nga Mchedlidze. Moment i artë për Elseid Hysajn me Napolin. Tashmë nuk përbën më lajm fakti që mbrojtësi shkodran është një pikë kyçe në formacionin e Sarrit. Hysaj bëri një paraqitje pozitive në fitoren e “San Siros” 2-1 ndaj Milanit, duke u treguar i vëmendshëm në të dyja fazat, si në mbrojtje ashtu edhe në sulm. Në Serie B, Rey Manaj e nisi që nga minuta ndeshjen e parë me Pisa-n.

Vetëm një ditë pas prezantimit sulmuesi shqiptar ishte titullar në sfidën ndaj Ternanës ku pas thuajse 500 minutash e dy muajsh pa shënuar Pisa ia doli të gjejë golin dhe mbi të gjitha fitoren në shifrat 1-0. Ishte pikërisht Manaj që fitoi një 11 metërsh në minutën e 89 por nuk arriti të realizonte për të debutuar me gol në aventurën e re me skuadrën e drejtuar nga Genaro Gattuso. Në Gjermani, Abrashi vazhdon të qëndrojë në infermieri për shkak të dëmtimit, ndërsa Mërgim Mavraj debutoi titullar me Hamburgun në humbjen 1-0 të pësuar në transfertën e Wolfsburgut. Në Greqi, mesfushori 22-vjeçar, Qazim Laçi u ktivizua titullar në ndeshjen mes Levadiakos dhe Atromitos të mbyllur në barazim 1-1. Lojtari i lindur në Peshkopi u zëvendësua në minutën e 66.