Legjendari Jon Jones fiton ndaj Gustafssonit, pas triumfit i kërkon duel Cormierit

E publikuar: 30/12/2018 08:17
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Dueli kryesor i natës në UFC 232 i zhvilluar në arenën ‘The Forum’ në Kaliforni, ishte ai në mes Jon Jones dhe Alexander Gustafsson.

Dyshja ishin përballë njëri-tjetrit në kërkim të titullit në kategorinë e lehtë të divizionit të peshave të rënda.

Ishte Jon Jones ai që u tregua më i shkathtë dhe me plotë meritë ia arriti të triumfojë dhe të bëhet kampion.

Amerikani Jones e filloi mirë raundin e parë, por edhe në të dytin ai doli bukur ndaj suedezit. Paraqitja e Jon në dhjetë minutat e parë ishte e karakterizuar me goditje të ndryshme, duke mos e lejuar kundërshtarin të përcaktojë stilin e tij të lojës.

“Kocka” e filloi mirë raundin e tretë, ku në stilin e një mundësi rrëzoi Gustafssonin dhe duke e mbajtur poshtë tij në oktagon i dha disa goditje të fuqishme në kokë dhe kështu detyroi gjyqtarin të ndalojë ndeshjen.

Edhe pse para meçit rivaliteti ishte i madh mes dy sportistëve, në fund ata u përqafuan dhe uruan njëri-tjetrin për paraqitjen.

Jones u shpreh i lumtur për fitoren dhe i bëri ftesë Daniel Cormierit për një duel në të ardhmen. Pak ditë më parë DC dorëzoi titullin e kategorisë së lehtë në pesha të rënda (që tani e fitoi Jones), ndërsa aktualisht është kampion i peshave të rënda /Telegrafi/