Legalizimi i ngadalshëm i armëve pa leje në Kosovë

E publikuar: 10/03/2019 13:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pas një fillimi të zbehtë, fushata për legalizimin e armëve të vogla dhe të lehta ka nisur të japë pak më shumë rezultate muajt e fundit, thonë në Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe në Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP). Nën moton “Me letra”, fushata, e cila ka nisur në fund të vitit 2018 në një afat kohor prej gjashtë muajve, ka për qëllim që t’i bindë qytetarët t’i përgjigjen thirrjes për legalizimin e armëve pa leje, të cilat i posedojnë.

Destan Mustafa, udhëheqës i Divizionit për armë, municion dhe Eksploziv në Ministrinë e Punëve të Brendshme, tha për Radion Evropa e Lirë se në fillim të kësaj fushate, vetëdijesimi dhe interesimi i qytetarëve ishte i ulët.

Ndërsa, që nga muaji janar, sipas tij, interesimi për legalizim të armëve është shtuar.

“Ne kemi parë që nga fillimi ishte një vetëdijesim i vogël, nga fillimi do të thotë prej janarit e deri më sot çdo herë ka ngritje të besimit. Ne edhe tani kemi filluar që të lëshojmë disa pëlqime. Është ngritur edhe më shumë besimi i qytetarëve se shteti në këtë rast nuk e ka qëllimin që të mbledhë armët, siç kanë qenë disa propaganda, kjo nuk është aspak e vërtetë. Besojmë që është rritur dhe e vërejmë dita-ditës që është ngritur dëshira te qytetarët për legalizim”, tha Mustafa.

Edhe Marta Gazideda, menaxhere në sektorin e ndërtimit të Paqes në UNDP, në një përgjigje nëpërmjet postës elektronike për Radion Evropa e Lirë, tha se lansimi i kësaj fushate po del të jetë mjaft i suksesshëm. Sipas Gazidedës, 420 persona kanë aplikuar për legalizimin e armëve të tyre.

Bazuar në të dhënat e Ministrisë së Punëve të Brendshme, ka rreth 260 mijë armë ilegale që janë në posedim të qytetarëve. Kurse afër 50 mijë, llogaritet të jetë numri i përgjithshëm i armëve legale, prej të cilave 22 mijë janë me leje të Republikës së Kosovës, ndërsa 25 mijë armë të tjera që kanë pasur leje nga ish-administrata e UNMIK-ut, po i nënshtrohen procesit të legalizimit.

Ish-deputeti dhe njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, thotë se iniciativa apo fushata aktuale, ka treguar pak sukses. Sipas tij, faji mund të jetë edhe të procedurat, të cilat janë tejet të gjata për legalizimin e një arme.

“Prej momentit kur bëhet paraqitja e armës e deri te marrja e lejes, pasi që është në kuadër të kritereve të përcaktuara për legalizim apo armëmbajtje është shumë e koklavitur në kuptimin që është e ngarkuar procedura. Tjetra është se taksat vazhdojnë të jenë relativisht të mëdha – edhe të trajnimeve edhe të certifikimit për armëmbajtje e deri te certifikata mjekësore që relativisht e kanë një kosto të lartë” vlerësoi Ibishi.

Rreziku nga armët pa leje, nënvizon Ibishi, është evident, marrë parasysh edhe faktin se shumë krime dhe vepra penale që po ndodhin në Kosovë kanë dëshmuar se janë kryer me armët ilegale që janë në duart e qytetarëve.

“Rreziku është permanent për armë mbajtjen ilegale, në kuptim të asaj se të gjitha këto veprat penale të cilat po kryhen edhe vrasjet edhe këto grabitjet janë nga persona që posedojnë armë ilegale. Edhe kjo është shkaku kryesorë i kësaj gjendje”, bëri të ditur Ibishi.

Në anën tjetër, sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, në dymujorin e vitit 2019 janë konfiskuar 236 armë dhe 3114 municione të kalibrave të ndryshme.

Kostoja totale për legalizim, përfshirë kontrollet shëndetësore, vërtetimet, trajnimin dhe lejen, arrin vlerën e rreth 300 eurove.

Gjatë kohës sa zgjat fushata për legalizimin e armëve pa leje, me vendim të ministrit të këtij dikasteri, Ekrem Mustafa, është pezulluar zbatimi i nenit 374, të Kodit Penal, i cili, në paragrafin një, parasheh gjobë deri në 7 mijë e 500 euro ose dënim me burgim deri në pesë vjet për armëmbajtje pa leje. Aty parashihet edhe dënim 2 deri në 10 vjet burg, për posedim ilegal të katër ose më shumë armëve ose më shumë se 400 fishekëve.