LDK: S’kemi qëndrim për protestat e Vetëvendosjes

E publikuar: 06/02/2019 09:59
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti ka filluar t’i paralajmërojë qytetarët e Kosovës dhe të Shqipërisë që të përgatiten për një “Pranverë shqiptare”, duke aluduar në organizimin e protestave masive kundër idesë së presidentit Hashim Thaçi për marrëveshjen finale me Serbinë. Ai po synon përkrahje edhe nga Shqipëria, shkruan Gazeta “Zëri”.

Lidhja Demokratike e Kosovës ende nuk e ka bërë të qartë nëse do t’i përkrahë protestat, për të cilat po paralajmëron Vetëvendosja. Deputetja e kësaj partie Lirije Kajtazi është shprehur për “Zërin” se nuk kanë ndonjë qëndrim konkret lidhur me këtë çështje, por nëse marrin ftesë nga LVV-ja do ta shqyrtojnë në kryesi të partisë.

“Ne nuk kemi qëndrim për protestat e Vetëvendosjes. Nëse i kërkohet LDK-së besoj se do të bisedojmë në strukturë dhe do të dalim me qëndrim. Por unë pres shumë shpejt ndryshime në skenën politike, të cilat do të vijnë nga kundërshtitë që do të jenë brenda këtyre subjekteve, sepse si duket nuk do të arrijnë t’i ngopin apetitet e secilit partner dhe pres që do të ketë ndryshime”, ka thënë Kajtazi, shkruan Gazeta “Zëri”.

Për LDK-në vetëm me zgjedhje parandalohet kaosi i Qeverisë dhe ideja e presidentit Thaçi për korrigjim të kufijve. “Kjo Qeveri nuk e meriton të qëndrojë as edhe një ditë më tepër, pasi po vazhdon ta dëmtojë të ardhmen e këtij vendi. Ne jemi përpjekur në mënyra të ndryshme që ta parandalojmë edhe idenë e Thaçit për prekje kufijsh dhe e kemi definuar si do ta arrijmë këtë. Nëse arrijmë të shkojmë në zgjedhje të reja sigurisht se do të legjitimohet një strukturë, e cila do të dijë çfarë të bëjë me vendin”, është shprehur Kajtazi.