LDK: Qeveria është kthyer në mekanizëm për plotësimin e tekeve të individëve e bizneseve

E publikuar: 21/10/2018 18:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lidhja Demokratike e Kosovës, tash një kohë ka nisur një takim brenda strukturave të veta. Këtë të diel, Kryesia e LDK-së vizitoi Degën e V-të në Prishtinë.

Sekretari i Përgjithshëm i kësaj partie, Ismet Beqiri, që sipas njoftimit për media të LDK-së, ka folur edhe në emër të kryetarit Isa Mustafa, ka thënë se kjo formë e takimeve me struktura po ndihmon “që të njoftohen këto forume të partisë me qëndrimet e fundit të LDK-së; për dialogun, kufijtë e Kosovës, për votimin e Forcave e të Armatosura të Kosovës”.

“Ai në këtë takim kërkoi që të gjithë të organizohen, sepse bazuar në mundësitë që LDK-ja po i kërkon në koordinim edhe me partitë e tjera për ngritjen e mocionit të votëbesimit të qeverisë, vendi shumë shpejtë do të shkojë në zgjedhje”, thuhet në njoftimin e LDK-së.

“LDK-ja duke parë bllokimin e vendit nga kjo qeveri dhe brishtësinë e koalicionit qeverisës mendon se zgjidhja e vetmja është zgjedhjet”, citohet të ketë thënë Beqiri, duke kërkuar mobilizimin e të gjitha strukturave të degës për t’u përgatitur për zgjedhjet qendrore të cilat janë të pashmangshme.

Gjithnjë sipas këtij njoftimi, Sokol Haliti ka folur për mbledhjet e vazhdueshme të kryesisë së LDK-së, për unitetin dhe disponimin e mirë brenda të gjitha strukturave dhe organeve të partisë.

“Ai kërkoi nga të gjithë aktivistët që të angazhohen që LDK-ja të forcohet sidomos në Prishtinë sepse baza e fitores së LDK-së sipas tij në nivel vendi është Prishtina”, thuhet në njoftimin e LDK-së.

Aty kanë folur edhe Lirije Kajtazi kryetare e Forumit të Gruas së LDK-së, Fidan Rekaliu kryetar i Forumit të Rinjve të LDK-së, e Vlora Dumoshi anëtare e Kryesisë, si dhe Agim Gashi, kryetar i degës nikoqire.

Ndërsa, Muharrem Sfarqa, në fjalën e tij tha se “duhet të mobilizohemi që të jemi gati për zgjedhjet të cilat janë të pashmangshme, pasi që qeveria është shndërruar në mekanizëm për plotësimin e tekeve të individëve dhe grupeve të interesave biznesore”.

Shumë aktivistë të degës dhanë komentet dhe kritikat e tyre si dhe kërkuan nga kryesia e LDK-së që të shfrytëzojnë këtë momentum që vendi të shkojë sa më parë në zgjedhje, përfundon njoftimi i LDK-së.