LDK, PDK-së: Mos i përdorni pasuritë shtetërore për fushatë politike

E publikuar: 02/09/2019 16:35
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot një konferencë për media në selinë e saj qendrore që ndodhet në Prishtinë.

Zëdhënësi i këtij subjekti politik, Besian Mustafa, i ka kërkuar kryetarit të PDK-së, Kadri Veselit dhe të gjithë zyrtarëve të koalicionit PAN, që mos t’i keqpërdorin pasuritë publike për fushatë zgjedhore dhe interesa partiake, njofton Klan Kosova.

“LDK dënon ashpër shpërdorimin e pasurive, infrastrukturës dhe institucioneve shtetërore nga ana e kryetarit të PDK-së, Kadri Veselit, për të bërë fushatë për vete dhe partinë e tij”.

“Kryetari i PDK-së tanimë nuk ka asnjë funksion shtetëror është thjeshtë mirëmbajtës i Kuvendit të Kosovës deri në zgjedhjet që do të mbahen me 6 tetor”.

“Është e papranueshme që Kryetari i PDK-së të vazhdojë me këtë qasje të keqpërdorimit të pasurive dhe institucioneve shtetërore për interesa të ngushta të partisë së tij siç është rasti me QKUK-në, Akademinë për Siguri Publike, ATK-ë , Doganën dhe institucionet e tjera”.

“Kërkojmë që ai dhe të gjithë zyrtarët e koalicionit PAN, urgjentisht ta ndalojnë keqpërdorimin e mjeteve për fushatat e tyre politike”.

“Kërkojmë nga organet e rendit dhe ligjit që të hetojnë të gjitha këto raste të keqpërdorimit të pasurisë dhe institucioneve shtetërore për interesa personale partiake”.