LDK, PDK e Vetëvendosje shkojnë të vetme në zgjedhje

E publikuar: 31/08/2019 00:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Janë dorëzuar të gjitha listat e partive politike lidhur me zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen në Kosovë. Tri partitë e mëdha, PDK, LDK dhe VV, shkojnë vetëm në zgjedhje Negociatat e të gjitha partive politike në vend për koalicion parazgjedhor kanë përfunduar.

Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Vetëvendosje edhe zyrtarisht shkojnë të vetme në zgjedhje.

Tashmë edhe afati zyrtar për t’i dorëzuar koalicionet në KQZ ka përfunduar.

Koalicioni i parë i dorëzuar në KQZ ishte ai Vakat. Ky koalicion është deklaruar nga 3 Parti Politike nga radhët e komunitetit boshnjak: Demokratska Stranka Bošnjaka, Demokratska Stranka Vatan dhe Ujedinjena Stranka Bošnjaka.

Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Socialdemokrate kanë dorëzuar në KQZ koalicionin të cilin ish-kryeministri Haradinaj e ka quajtur koalicion të fitores.

Nisma Socialdemokrate e Kosovës, Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë është koalicioni i tretë i dorëzuar në KQZ dhe e konfirmuar si listë në zgjedhje.

Edhe Nenad Rashiq, kryetari i Partisë Demokratike Progresive të Kosovës ka dorëzuar në KQZ aplikimin e koalicionit të partisë së tij me partinë Novo Partia Kosovo (sq. Partia e Re e Kosovës). Ai në një prononcim para gazetarëve gjithashtu thumboi Listën Serbe se po i shantazhon serbët e Kosovës dhe tha se do të punojë në fuqizimin e rolit të serbëve në Kosovë

Këto ditë më në spikamë ishte koalicioni i mundshëm midis Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje – por që nuk ndodhi.

Lidhja Demokratike e Kosovës e refuzoi propozimin e Vetëvendosjes për listë të përbashkët zgjedhore pa kandidatë paraprak për kryeministër.

Në anën tjetër, Partia Demokratike e Kosovës që nga dorëheqja e Haradinajt kanë deklaruar se do të shkojnë vetëm në zgjedhjet e 6 tetorit./Gazeta Express/.