LDK kërkon zgjedhje, Veseli: S’di sa është serioze kjo kërkesë

E publikuar: 01/04/2018 16:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Dalja nga Qeveria e Listës Serbe dhe ngjarjet e fundit në Kosovë ka bërë që Lidhja Demokratike e Kosovës të propozojë që vendi të shkojë në zgjedhje, jo duke rrëzuar Qeverinë, por duke kërkuar konsensusin politik të partive për t’u ulur dhe dakorduar për datën e zgjedhjeve të parakohshme.

Por kryetari i PDK-së që njëherësh është kryetari i Kuvendit Kadri Veseli nuk po e sheh shumë serioze këtë kërkesë të LDK-së.

Ai për KosovaPress ka thënë se nuk e di sa janë të gatshëm kolegët e tij nga opozita për zgjedhje, apo është vetëm një thirrje për të përfituar politikisht.

Veseli: S’di sa janë serioze thirrjet e LDK-së për zgjedhje

“Unë nuk e di sa është serioze me këtë kërkesë, sa janë të gatshëm kolegët e mi nga opozita, apo është vetëm një thirrje për të përfituar politikisht. Por, ajo çfarë mund të them, ne do të jemi në koalicion qeverisës bashkë me partnerët e koalicionit, për aq sa na lejon vullneti i popullit, ligjet, Kushtetuta dhe të punojmë, kjo është më e rëndësishme në këtë moment…Ne kemi pasur një koalicion me LDK-në për tri vite, për të cilin jemi detyruar që për shkak të mungesës së vendimmarrjes të vijmë në një situatë në të cilën kemi ardhur”, tha Veseli.

Sipas Veselit, koalicionet qeverisëse janë për të marrë vendime të rëndësishme dhe në të mirë të qytetarëve, e jo të qëndrojnë aty vetëm për t’i shijuar frytet e pushtetit.

Gjatë vikendit LDK do të vendos për pikat me të cilat do të prezantohet në ofertë, e që për synim ka të shndërrohet në marrëveshje të përbashkët për t’i dhënë vendin një datë për zgjedhje.

KosovaPress ka bërë përpjekje të marr një deklaratë të shefit të Grupit Parlamentar Avdullah Hoti, por të dielën ai nuk e ka hapur telefonin.

Megjithatë Hoti në konferencën e rregullt që LDK mban të premteve tha se tash në pushtet është një Qeveri që ka vetëm 40 deputetë dhe se një Qeveri e pakicës nuk mund të udhëheq vendin më tutje.

Hoti: Zgjedhjet e reja janë zgjidhja e vetme për këtë situatë

“Një qeveri e pakicës nuk mund ta udhëheq vendin më tutje. Dhe si rrjedhim zgjedhjet e reja janë zgjidhja e vetme për këtë situatë. Ne sigurisht që nuk do të lejojmë që Lisa Serbe dhe subjekte të tjera të determinojnë se kur Kosova shkon në zgjedhje të reja, kjo çështje duhet të jetë çështje e dakorduar në mes partive kryesore shqiptare në parlamentin e Kosovës… Ne do të kërkojmë që të ulemi bashkë që sa më parë që zgjedhjet e ardhshme të jenë proces i dakorduar i organizuar mirë me datë i dakorduar mes subjekteve politike në Kuvendin e Kosovës. Unë shpresoj që edh partitë të tjera do të reflektojnë karshi kësaj situate të re të krijuar sepse qeveria nuk mund të udhëheq vendin me vetëm 40 vota në Kuvendin e Kosovës “, ka thënë Hoti të premten në konferencë për media.

Dalja e Listës Serbe nga Qeveria ka bërë që koalicioni qeverisës të mos i ketë 61 vota të domosdoshme./RTK/