LDK-ja synon t’i mbledhë në tryezë krerët e partive politike, temë edhe zgjedhjet

E publikuar: 20/04/2018 16:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lidhja Demokratike e Kosovës para se të fillojë të organizojë një mocion me qëllim rrëzimin e Qeverisë aktuale, po synon që t’i mbledhë të gjithë krerët e partive politike dhe përmes një tryeze të përbashkët të diskutojnë çështje të rëndësishme, përfshirë edhe shkuarjen në zgjedhje të reja. Hoti duke folur për Gazetën Express, këtë tryezë e quan të domosdoshme, bazuar në zhvillimet në vend. Ai e ka bërë më dije, se sot, do t’u nisen edhe ftesat partive, që të mblidhen të mërkurën
Ende nuk dihet se cila do të jetë përgjigja e të gjitha partive politike ndaj ftesës së LDK-së për të diskutuar rreth zgjedhjeve të reja, megjithatë partia e Isa Mustafa po planifikon që javën e ardhshme të mblidhen së bashku me partitë tjera si opozitare, por edhe ato në pushtet, dhe të flasin për tema të rëndësishme dhe zgjedhjet e reja.

Hoti për Express, thotë se, tryeza është e domosdoshme duke pasur parasysh zhvillimet në vend, të tilla si kriza institucionale dhe politike, humbja e shumicës parlamentare, mosfunksionimin normal i Kuvendit të Kosovës, dështimin e funksionimit ligjor dhe kushtetues të institucioneve, siç ishte rasti me dëbimin e gjashtë shtetasve turq.

“Në këtë situatë, duhet të arrihet urgjentisht konsensus nacional për veprimet që duhet të ndërmerren për dalje nga kjo situatë. Duhet t’i lëmë anash rivalitetet politike ditore, dhe ne si LDK jemi gati ta bëjmë këtë.

LDK-ja është e gatshme t’i prijë ndërtimit të këtij konsensusi. Sot i dërgojmë ftesat për tryezën e partive politike, që do të ndodhë të mërkurën. Në biseda me partitë politike, shumica e kanë konfirmuar pjesëmarrjen”, ka shtuar ai.

Hoti bën të ditur se tryeza do të koncentrohet në mënyrën se si të adresohen çështjet madhore për vendin, siç janë dialogu me Serbinë, reformat për integrim në BE, në të cilat çështje nuk duhet të ketë rivalitet politik, tash dhe në të ardhmen, gjatë fushatës zgjedhore dhe gjatë qeverisjes së ardhshme.

Ndërkaq pjesë e kësaj tryeze Hoti tha se do të jenë diskutimet për përgatitjet e nevojshme teknike për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme të lira dhe demokratike për të nxjerrë një qeveri stabile dhe të përgjegjshme.

LDK-ja që nga formimi i Qeverisë Haradinaj në vazhdimësi ka paralajmëruar se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja. I ka bërë thirrje qeverisë aktuale që ta rrëzojë veten. Përndryshe, LDK-ja e ka ritheksuar se përmes një mocioni do ta rrëzojnë koalicionin aktual qeverisës. /GazetaExpress