LDK-ja pa “terapi” për “shokun” ekonomik

E publikuar: 05/05/2020 08:39
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lidhja Demokratike (LDK) nuk ka treguar se si do t’i qaset “shokut” ekonomik, në të cilin ka hyrë Kosova si pasojë e masave kufizuese të marra në kuadër të luftës kundër pandemisë COVID-19. Në këtë parti nuk kanë përmendur ndonjë “terapi”, por kanë thënë se rimëkëmbja ekonomike do të jetë top-prioritet në qeverinë që synojnë ta ndërtojnë.

Të hënën, kandidati i këtij subjekti politik për kryeministër, Avdullah Hoti, ka takuar përfaqësuesit e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe ata të Nismës Socialdemokrate, me qëllimin për ta harmonizuar programin qeverisës, ani se me to e ka firmosur më herët marrëveshjen e koalicionit. Takimi ka ndodhur vetëm pak ditë pasi Gjykata Kushtetuese e ka pezulluar dekretin e presidentit Hashim Thaçi, për ta caktuar për mandatar Hotin, raporton KOHA.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV), parti e cila ka dalë e para në zgjedhje, e ka kontestuar në Kushtetuese dekretin, pasi ajo konsideron se pas mocionit të iniciuar nga LDK-ja, që për prodhim pati rrëzimin e Qeverisë, vendi duhet të shkojë në zgjedhje.

Në LDK janë shprehur të bindur se Kushtetuesja do t’ua lejojë ta bëjnë qeverinë dhe kohën derisa verdikti të dalë, do ta shfrytëzojnë për negociatat rreth programit qeverisës.

Pas takimit me përfaqësuesit e AAK-së dhe Nismës, Arban Abrashi i LDK-së ka thënë se ditët derisa të vendosë Gjykata janë duke i shfrytëzuar në dobi të ndërtimit të negociatave për programin. Ai nuk ka dhënë detaje se çfarë do të përmbajë ky dokument, në lidhje me adresimin e pasojave nga pandemia.