Haziri: Dallimi për pozitën e kryeparlamentarit nuk është kaluar, jam optimist për marrëveshjen me VV

E publikuar: 01/02/2020 14:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se angazhimet dhe përpjekjet e tyre janë që të ndahet roli i tyre në Kuvend në mënyrë që ekzekutivi dhe Kuvendi të koordinohen në zbatimin e politikave programore.

Ai thotë se finalizimi i marrëveshjes bie mbi supet e dy partive politike.

Haziri ka thënë se ende nuk është përballuar ndryshimi për pozitën e kryetarit të Kuvendit.

“Edhe më tutje duhet të diskutohet e të punohet që LDK e VV të kenë rol të balancuar në udhëheqjen e institucioneve. Takimet me VV nuk janë ndërprerë asnjëherë, por sot takim të paralajmëruar nuk ka”, ka thënë ai.

Ai thotë se tejkalimi apo marrëveshja për kryeparlamentarin bëhet përmes takimeve, duke shtuar se do të behet përpjekje deri ditën kur mbahet seanca.

“Ne nuk kemi kërkuar të heqin dorë nga kërkesat e tyre, as ata nuk kanë kërkuar, por ne kemi kërkuar që të kemi balancim të udhëheqjes së institucioneve”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se gjasat janë të mëdha që Kosova do të ketë ekzekutiv të udhëhequr nga VV-LDK.