LDK-ja e konsideron të çmendur idenë e Thaçit për korrigjim

E publikuar: 11/02/2019 10:55
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti Hashim Thaçi vazhdon të këmbëngulë në idenë e tij për korrigjim të kufirit me Serbinë, por së fundi ka zbutur diskursin, duke përmendur korrigjimin “e lehtë”. Përfaqësuesit e opozitës dhe analistët politikë thonë se kjo është lojë me fjalë e kreut të vendit, pasi që ideja është e njëjtë dhe ekziston rreziku që “Kosova me lehtësi t’i humbë dy-tri komuna në veri”, shkruan Gazeta “Zëri”. 

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besa Gaxherri, e ka vlerësuar si të çmendur idenë e Thaçit për korrigjim të kufijve. Në një prononcim për “Zërin” Gaxherri ka thënë se nuk ka bashkëpunim nga koalicioni qeverisës që t’ia bëjë me dije presidentit Thaçi se nuk ka kompetencë të flasë për çështje territoresh.

“Shumica e partive politike në Kosovë nuk e përkrahin një ide të çmendur të tillë. Prandaj ne po mundohemi me gjithë mundësitë që t’ia bëjmë me dije presidentit se nuk ka të drejtë të bisedojë për çështje as të kufirit e as të territorit, sepse për një gjë të tillë kompetent ose të drejtë kushtetuese ka vetëm Kuvendi i Republikës së Kosovës. Për këtë çështje nuk ka vullnet në koalicionin qeverisës dhe kjo është shumë shqetësuese”, deklaroi Gaxherri.

Gaxherri e ka quajtur lojë mënyrën sesi Thaçi është shprehur për korrigjimin e kufijve, ajo thotë se duke i ditur raportet me Serbinë është e palogjikshme të mendohet që ajo do të na japë territor dhe të mos kërkojë asgjë në këmbim.

“Presidenti Thaçi na ka fyer inteligjencën duke thënë se nuk do të japim asgjë prej territorit të Kosovës, por do ta marrim Luginën. Çdo njeri që është normal e ka të qartë, duke parë raportet Kosovë – Serbi, se sa është gatshme Serbia të japë territor. Ne si Kosovë nuk kemi pasur absolutisht asnjë nevojë që të bëjmë deklarata të tilla, sepse kufirin e kanë pranuar mbi 100 shtete të rëndësishme të botës dhe në qoftë se ne vetë e hapim këtë temë, atëherë aleatët tanë mund të fillojnë të krijojnë mëdyshje dhe atëherë situata do të ishte vërtet shqetësuese”, është shprehur ajo.