LDK “identifikon” ata që po ia thyen zyrat

E publikuar: 01/03/2016 02:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kreu i LDK-së që është edhe kryeministër i vendit, Isa Mustafa, në takimin që ka mbajtur me kryetarët e degëve të partisë ka folur për proceset dhe, siç shkruan LDK-ja në komunikatën e saj, progresin që po arrihet në Kosovë si rezultat i reformave, për proceset aktuale politike dhe funksionalizimin e institucioneve në përputhje me marrëveshjen e koalicionit qeveritar.

“Me këtë rast u vlerësua lartë konsistenca e LDK-së, në shërbim të plotë të realizimit të synimeve nacionale të qytetarëve të Kosovës. Gjatë takimit u dënua ashpër fushata e ulët fyese dhe linçuese e eksponentëve të caktuar politikë ndaj deputetëve të LDK-së si dhe aktet vandale ndaj zyrave të LDK-së anekënd Kosovës, të nxitura nga këto fushata dhe të kryera nga njerëzit e anarkisë dhe kaosit, të cilët ditëve të fundit kanë sulmuar me molotovë edhe institucionet e shtetit”, thuhet në njoftimin e LDK-së.

Sipas njoftimit, LDK-ja dhe drejtuesit e saj në të gjitha nivelet theksuan se këto sulme të dhunshme dhe fushata antidemokratike nuk mund ta zbehin përkushtimin e pakompromis të LDK-së për forcimin e shtetit dhe të partneritetit të përhershëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet tjera mike.
“Në takim u theksua se LDK-ja do të vazhdojë angazhimin e saj maksimal për fuqizimin e Republikës së Kosovës, parandalimin e anarkisë dhe të politikës së molotovëve e të gazit lotsjellës si mjete për arritjen e qëllimeve politike dhe realizimin e kauzave fiktive antiperëndimore”, thuhet në njoftim.

LDK-ja thotë se duke vepruar në përputhje me vlerat demokratike perëndimore dhe vizionin e filozofinë e saj politike, po jep kontribut esencial për forcimin e shtetit, për liberalizimin e vizave, për themelimin e Ushtrisë së Kosovës, për zhvillim ekonomik.
“Kryetaret e degëve të LDK-së ofruan përkrahje të plotë për kryetarin Isa Mustafa në drejtimin e Qeverisë së Kosovës, duke thekuar përkushtimin e plotë të tyre dhe të aktivistëve të LDK-së anekënd Kosovës dhe më gjerë, që përmes LDK-së të kontribuojnë pa asnjë rezervë në fuqizimin e gjithanshëm të shtetit të Kosovës”, thuhet në njoftim.

/Koha net/