LDK fton partitë politike të distancohen nga sulmet me molotov (Video)

E publikuar: 13/03/2016 19:59
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar nga partitë politike që të distancohen nga sulmet e ndryshme me koktej molotovi që kanë ndodhur ditëve të fundit, raporton KTV.

Duke marrë shkas një komunikatë të AAK-së lidhur me sulmin ndaj zyrave të Presidencës, duke mos i paragjykuar kryerësit e tij, LDK-ja, nëpërmjet një komunikate për medie, thekson keqardhjen e saj se akte të tilla kriminale ka pasur në vazhdimësi në muajt e fundit dhe se pas tyre nuk ka pasur distancim të qartë nga të gjitha subjektet politike.

Madje, kjo parti ka nxjerrë edhe videot e kamerave të sigurimit gjatë sulmit të bërë ndaj shtëpisë së kryeministrit Isa Mustafa në protestën e 26 shkurtit.

Nxjerrja e këtyre videove sipas LDK-së, është bërë me qëllim që të ndihmojnë në identifikimin e këtyre personave. AAK-ja dhe Nisma për Kosovën, janë distancuar nga këto sulme të kryera në vazhdimësi, deri më tani nga persona të panjohur.

E në Vetëvendosje thonë se LDK-ja po bën një veprim të padrejtë ligjërisht, dhe të pasaktë logjikisht, pasi kjo parti, sipas subjektit më të madh opozitar, përmes një videoje nga një protestë, dëshiron ta fajësojë opozitën për një ngjarje që s’ka lidhje me protestën në fjalë, e që ka ndodhur dy javë më vonë.

Ndërkaq në Policinë e Kosovës kanë thënë se për të gjitha këto raste janë duke u kryer hetime.