LDK e LVV: Ekipi nuk e përfaqëson Kosovën, duhen zgjedhje

E publikuar: 27/12/2018 14:32
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ani pse tashmë është formuar ekipi negociator, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së Avdullah Hoti ka thënë se proceset e mëdha, siç është dialogu, nuk shkojnë përpara pa partinë më të madhe në vend, LDK-në shkruan sot Gazeta “Zeri”.

Hoti më tej ka thënë se ekipi tashmë i caktuar nuk e përfaqëson Kosovën. “Unë garantoj që ata njerëz nuk përfaqësojnë askënd. Ne javën që shkoi ia kemi dërguar një letër Federica Mogherinit, ku kemi thënë që ky ekip nuk është i unitetit”, ka deklaruar shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së.

Prandaj, ai është shprehur i bindur se duhet të ketë zgjedhje të parakohshme për të dalë nga kjo situatë. Duke u nisur nga rrethanat aktuale, nënkryetarja e LVV-së Fatmire Kollçaku ka vlerësuar se presidenti Thaçi është ai i cili do t’i prijë dialogut, ndërkaq ekipi negociator sipas saj do të jetë vetëm në mbështetje të kreut të shtetit. “Ne kemi thënë që në çfarëdo situate dialogut do t’i prijë presidenti, sepse ky e ka filluar tashmë dhe ne nuk e dimë në cilën fazë ka mbërritur, sepse nuk ka qenë aspak transparent. Ne mendojmë ende që ky grup do të jetë shumë më tepër teknik, në mbështetje të Thaçit dhe dialogu nuk e ka konsensusin nacional. Ju e dini që mospërfshirja e dy subjekteve të mëdha opozitare e vendos në pikëpyetje këtë”, ka theksuar ajo.

Pavarësisht zhvillimeve të fundit, dialogu sipas Kollçakut do të vazhdojë të mbetet një aventurë personale e presidentit.