LDK bllokoi hetimet për SHIK-un

E publikuar: 31/10/2016 11:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Iniciativa për krijimin e një Komisioni Parlamentar për ta hetuar veprimtarinë e Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK) është stagnuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Kështu të paktën thonë përfaqësuesit e tri subjekteve opozitare (“Vetëvendosje”, AAK dhe Nisma për Kosovën).

Opozitarët akuzojnë LDK-në e Isa Mustafës që, sipas tyre, shumicën e votave i mori duke u thirrur vazhdimisht kundër shërbimit të cilin e drejtoi Kadri Veseli.

Në partinë e Visar Ymerit thonë se dështimi për krijimin e këtij Komisioni ishte se nuk ishin nënshkrimet e nevojshme nga parlamentarët.  Deputetja e LVV-së, Shqipe Pantina në një prononcim për “Indeksonline”, thotë se ishte numër i vogël i deputetëve të LDK-së që nënshkruan këtë iniciativë.

“VV ka iniciuar mbledhjen e nënshkrimeve të nevojshme për krijimin e komisionit hetimor, mirëpo për fat te keq nuk kemi arrite t’i mbledhim 40 nënshkrimet e nevojshme. Nënshkrimet e tyre i kane dhënë të gjithë deputetët e opozitës dhe disa deputetë të LDK-së por ky numër nuk ka arritur në 40 sa janë te nevojshme për te krijuar komision hetimor”, është shprehur ajo.

(Foto: Shqipe Pantina)

Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës fajëson LDK-në për moskrijimin e Komisionit i cili do ta hetonte SHIK-un. Deputetja e partisë së Haradinajt, Time Kadriaj thotë se një numër i madh i deputetëve të LDK-së hezituan ta nënshkruajnë formimin e këtij komisioni.

“Për formimin e një komisioni të tillë nevojitet nënshkrimi i 40 deputetëve, apo ¼ të tyre. Opozita e kishe nënshkruar këtë iniciativë, mirëpo ishin deputetët e LDK-së kanë hezituar ta nënshkruajnë.

Një organizim i tillë siç ishte SHIK-u dhe shprehet shqetësim nga shumë deputetët, atëherë duhet të nënshkruhet.  Ndërsa disa po bëjnë vetëm politikë para njerëzve dhe elektoratit ndërsa nuk po kërkon asgjë konkrete”, është shprehur ajo.

(Foto: Time Kadriaj)

Nga ana tjetër, “Nisma për Kosovën” thotë se kërkesat që janë bërë në Parlament kanë qenë momentale dhe sipas emocioneve. Deputeti i këtij subjekti, Zafir Berisha shprehet se shërbimet të cilat kanë operuar nga paslufta duhet të hetohen më detajisht për veprimtarinë e tyre.

Mirëpo, edhe deputeti i partisë së Famtir Limajt fajëson Lidhjen Demokratike të Kosovës për dështimin e Komisionit i cili do të “skenonte” veprimtarinë e SHIK-ut.

“Një fjalë popullore thotë: “Hajni, hajni, nuk e zenë”. Pra, s’di kush do ta hetojë SHIK-un dhe shërbime të tjera që kanë operuar në Kosovë. Angazhimi i tyre deri më tash ka mbetur misterioz.  Në anën tjetër, vet ata që kanë kërkuar gjoja me hetu SHIK-un  si organizatë e lidhur me PDK-në, ata në fund vet u banën SHIK dhe PDK. Nuk po shpresojë se kjo legjislaturë përveç fjalëve të mdhaja për konsum të politikës ditore dhe për manipulim të elektoratit të tyre këtë çështje e ka seriozisht”, ka thënë ai për “Indeksonline”

(Foto: Zafir Berisha)

Ndryshe, ishte ish-lideri i LVV-së, Albin Kurti i cili i pari që mori iniciativën për krijimin e një Komisioni të tillë.  “Ne do ta vazhdojmë iniciativën tonë për një komisioni parlamentar për SHIK-un për shkak se konsiderojmë që nuk mund të ketë as republikë parlamentare as pavarësi të shtetit as drejtësi ligjore, as demokraci institucionale pa hetimin dhe zbardhjen e çështjes së SHIK-ut”, kishte deklaruar ai.

Sipas tij, SHIK-u ka qenë shërbim dhe se qytetarët e Republikës duhet ta dinë se kujt i ka shërbyer.“Me vet fjalën që e ka në emërtim “shërbim” kjo imponon që i ka shërbyer dikujt dhe duhet ta dimë kujt. Duhet ta dimë strukturën, financat, bazën ligjore, misionin dhe synimin si dhe përbërjen”, kishte deklaruar Kurti./Indeksonline/ 

(Foto: Albin Kurti)