LDK: Bisedimet me Vetëvendosjen do të vazhdojnë për një marrëveshje të baraspeshuar

E publikuar: 04/12/2019 13:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se bisedimet me Lëvizjen Vetëvendosje do të vazhdojnë dhe se synimi i tyre është që të arrihet një marrëveshje e baraspeshuar.

Përmes një komunikate për media kjo parti tha se qysh në fillim ka shprehur gatishmërinë dhe zotimin për një marrëveshje me VV-në.

“Lidhja Demokratike e përkushtuar të respektojë dhe zbatojë vullnetin e qytetarëve të Kosovës të shprehur në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit. Në këtë drejtim, ne kemi shprehur vazhdimisht gatishmërinë dhe zotimin tonë të palëkundur në arritjen e një marrëveshjeje bashkëqeverisëse me LVV-në, bazuar në fuqinë politike që u kanë dhënë votuesit dy partive, në frymën e bashkëpunimit drejt mbrojtjes dhe avancimit të interesave shtetërore të Kosovës”, thuhet në deklaratë.

“Lidhja Demokratike e Kosovës ka punuar dhe është e vullnetshme të arrijë një marrëveshjeje të baraspeshuar, të qëndrueshme dhe afatgjatë. Diskutimet mes dy partive, LDK dhe LVV, do të vazhdojnë në mirëbesim dhe mirëkuptim, pa ju nënshtruar presioneve publike të askujt dhe duke krijuar një ambient të përshtatshëm dhe racional. Synimi ynë i përbashkët është të arrijmë një marrëveshje që ka prioritet vetëm dhe vetëm zotimet tona ndaj qytetarëve të Kosovës për të përmirësuar mirëqenien e tyre”.