LDK asnjë fjalë rreth akuzave të Thaçit për dialogun me Serbinë

E publikuar: 20/06/2018 14:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Përmes një komunikate për media LDK ka thënë se “humbja e shumicës nga koalicioni qeverisës që ndodhi para tre muajsh, e ka futur vendin në krizë”. Por, të njëjtit, nuk thanë asnjë fjalë rreth akuzave të Presidentit Hashim Thaçi për dialogun me Serbinë.
“Humbja e shumicës nga koalicionit qeverisës që ndodhi para tre muajsh e ka futur vendin në krizë. Ky vlerësim i para tre muajve është edhe më aktual tani, pasi kriza është thelluar”, thotë LDK, transmeton Express.

Lidhja Demokratike e Kosovës thotë se Qeveria nuk mund të adresojë asnjë çështje madhore, përveç vendimeve rutinore të cilat mund t’i marr edhe një qeveri teknike në detyrë.

LDK e quan Kuvendin e Kosovës jo funksional.

“Tryeza e partive politike është iniciuar nga LDK-ja me një temë të vetme që është si të dilet nga kjo krizë institucionale. Në një situatë të tillë ne nuk mund të bisedojmë për tema të tjera”, thotë njoftimi për media.

LDK shkrua se temat e rëndësisë nacionale nuk mund të adresohen nga një koalicion i pakicës.

“Prandaj, për të dalë nga kjo situatë, zgjedhjet e parakohshme janë të domosdoshme”.

“Është në interesin e qytetarëve që partitë politike të arrijnë koncensus lidhur me:

(i) Parimet që duhet ndjekur në adresimin e këtyre temave të rëndësisë nacionale, pavarësisht kush qeveris sot e kush nesër, si dhe

(ii) Caktimi i datës së zgjedhjeve të parakohshme dhe përgatitjet e nevojshme për të nxjerrë një qeveri stabile të një shumice.

Në frymën e kësaj, LDK-ja është e gatshme të bisedojë dhe të arrijë koncenzus. Ndryshe këto tryeza nuk kanë kuptim. Ne do të përdorim rrugët kushtetuese për të mos lejuar dëmtimin e vendin nga ky koalicion qeverisës i pakicës”, thuhet në njoftimin e LDK’së.

Ndryshe, Presidenti Hashim Thaçi në një konferencë për media ka provuar ta arsyetojë mungesën e përkrahjes nga spektri politik për të udhëhequr dialogun.

Sipas tij, kjo çështje nuk duhet të personalizohet, ndërsa opozitës i vë faj se po e vonojnë anëtarësimin e Kosovës në OKB. Ndërsa, ka thënë se është logjikë ballkanase që opozita të refuzojë çdo gjë që propozon Qeveria./Express/