LDK-AKR Kamenicë: Me 11 qershor në Kamenicë triumfon koalicioni i shpresës dhe i besës

E publikuar: 31/05/2017 22:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca Kosova e re me partnerët tjerë të koalicionit sot hapën fushatën zgjedhore të 11 qershorit 2017 në nëndegët e qytetit. Pjesëmarrja masive e qytetarëve në hapjen e fushatës dëshmon qartë përcaktimin e qytetarëve të Kamenicës për zgjedhjet nacionale, për ofertën e koalicionit të shpresës dhe besës duke u bërë bashkë të vendosur të ndëshkojnë klanin pronto të cilët komunën tonë e kanë shfrytëzuar vetëm për vota dhe kjo po shihet qartë edhe në nënvlerësimin dhe mos përfaqësimin në listat zgjedhore të kandidatëve nga komuna jonë, njëjtë sikur deri tani në investimet kapitale dhe mbështetjen e kësaj treve të lënë në harresë.

Kryetari i LDK-së njëherit kandidat për deputetë në Kuvendin e Kosovës Mr.Shaip Surdulli, tha se Kamenicës dhe Kosovës i duhet një qeveri me duar të pastërta, me orientim të qartë për të ardhmen e Kosovës, me vizion për një Kosovë evropiane, të zhvilluar, një shtet ligjor në shërbim të qytetarëve. Kryetari Surdulli vlerësoi lartë kandidatin për Kryeministër Prof.Avdullah Hoti, duke theksuar se i njëjti ka krijuar një qëndrushmeri ekonomike, për reformat fiskale, anëtarësimin e Kosovës në mekanizma ndërkombëtar. Kryetari Surdulli përmendi investimet kapitale në qeverisjen Mustafa të cilat kanë ndikuar drejtpërsëdrejti në mirëqenien e qytetarëve të Kamenicës por edhe sfidat që ballafaqohen qytetarët tanë, e të cilat në mandatin e ardhshëm me Kryeministrin Avdullah Hoti do të kenë prioritet të theksuar, duke theksuar se ne kemi integritet dhe dije ti zgjedhim problemet e qytetarëve.

Kandidati tjetër i koalicionit nga radhët e AKR-së z.Satmifer Kryeziu, theksoi se koalicioni LDK-AKR është një koalicion i natyrshëm, i vetmi që do ta zhvilloj Kosovën sepse alternative tjetër nuk ka. Jemi bërë bashkë që këtë shtet ta rikthejm në binarë të zhvillimit dhe prosperimit drejt vlerave të vendeve demokratike sepse ne jemi koalicion i punës dhe jo fjalëve e premtimeve boshe.

Të pranishmëve për fjalë rasti ju drejtuan edhe kandidatët tjerë për deputetë me prejardhje nga Kamenica z.Hazir Borovci dhe Dardan Velijaj si dhe Kryetari i AKR-së në Kamenicë z.Fatmir Matoshi, të cilët bënë thirrje të votohet lista e koalicionit LDK-AKR pasi është një listë me njerëz të ndershëm, profesional, të dëshmuar, për brezin e ri të Republikës të cilët për 3 orë e detyruan kandidatin e PDK-së të liroj kandidaturën e tij për Kryeministër ndërsa tani është koha që edhe kandidatin tjetër që të vazhdojë të shohë ëndërr Kryeministrinë.