Lazio përmbys Empolin, Atalanta shikon Europën

E publikuar: 19/02/2017 00:55
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Fitore me përmbysje për Lazion që me Thomas Strakoshën mes shtyllave u rikthye te suksesi në Serinë A, pasi mposhti 2-1 Empolin në stadiumin Carlo Castelani. Falë kësaj fitoreje në transfertë skuadra e Simone Inzaghit u ngjit në kuotën e 47 pikëve, duke lënë përkohësisht pas në renditje Interin. Lazio pozicionohet e 5-ta vetëm 1 pikë surprizës së këtij sezoni që mban emrin e Atalantës. Të 3 golat e kësaj sfide u realizuan në pjesën e dytë. Në të 67-tën Empoli zhbllokoi shifrat me një supergol të Krunic. Smund të bënte asgjë Strakosha në goditjen e mesfushorit boshnjak. Por vetëm pak sekonda më vonë erdhi reagimi i Lazios që barazoi shifrat me Immobilen.Golin e fitores për bardhekaltërit e realizoi Balde Keita në minutën e 80-të. Paraqitje pozitive ajo e Thomas Strakoshës që fitoi derbin shqiptar me Frederik Veselin. Nëse portieri i talentuar bëri disa pritje të bukura në këtë sfidë, mbrojtësi i kombëtares kuqezi hyri në fushë si zëvendësues në minutën e 78-të.

Vazhdon të fitojë Atalanta që tashmë ëndërron zonën Champions. Në Bergamo Etrit Berisha ruajti portën të paprekur në fitoren minimale 1-0 që regjistroi skuadra e Gasperinit përballë Crotones. Goli i fitores për Atalantën u shënua nga Conti në fillimin e pjesës së dytë.