Lavrov takohet me udhëheqësin e Koresë së Veriut

E publikuar: 31/05/2018 14:30
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, u takua të enjten me ministrin rus të punëve të Jashtme, i cili qëndroi në Phenian në një vizitë në të cilën Moska shpreson të ritheksojë rolin e saj si një forcë që do të llogaritet përpara takimit të pritur të Kim me presidentin amerikan, Donald Trump në Singapor muajin e ardhshëm.

Moska ka mbetur anash derisa Kim-i shtriu një komunikim të fuqishëm diplomatik me Seulin, Pekinin dhe Washingtonin gjatë disa muajve të kaluar. Por vizita e Sergey Lavrov lë të kuptohet se Rusia dëshiron të sigurohet se është e informuar për synimet e Koresë së Veriut dhe se ajo është e ndërgjegjshme për shqetësimet e Moskës.

Lavrov i përcolli “përshëndetjet dhe urimet më të përzemërta” të presidentit Vladimir Putin për “përpjekjet e mëdha” të Kimit në Gadishullin Korean. Ai gjithashtu shprehu mbështetjen e Moskës për një marrëveshje që Kimi arriti me presidentin e Koresë së Jugut, Mun-Jae-in, në një takim muajin e kaluar, që u përqendrua në masat për të ulur armiqësitë dhe për të rritur shkëmbimet mes dy Koreve.

Në një video nga fillimi i i takimit shihet ministri Lavrov duke e ftuar Kim Jong Unin për një vizitë në Moskë dhe duke e përgëzuar atë për shumë projekte në kryeqytetin e tij.

Sipas medies ruse, ai diskutoi rrugët e thellimit të marrëdhënieve gjatë një takimi me ministrin e Jashtëm, Ri Yong Ho.

“Mirëpresim kontaktet që janë vendosur muajve të fundit ndërmjet Veriut e Jugut dhe ndërmjet Koresë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara”, tha ministri Lavrov. “Mirëpresim takimin që u zhvillua ndërmjet Phenianit dhe Seulit sikurse edhe takimit të planifikuar ndërmjet Koresë së Veriut dhe udhëheqjes së Shteteve të Bashkuara”.

Ai theksoi mbështetjen ruse për çarmatimin bërthamor dhe përpjekjet për të vendosur paqe të qëndrueshme e afatgjate në rajon, por tha se Moska beson që sanksionet mund të lehtësohen derisa zhvillohet procesi, ndryshe nga qëndrimi amerikan se fillimisht duhet të ndodhë çarmatimi bërthamor.

“Është absolutisht e qartë se kur të fillojnë bisedimet për zgjidhjen e problemeve bërthamore dhe problemeve tjera në gadishullin korean, të nisemi nga fakti se vendimi nuk mund të jetë i plotë derisa sanksionet janë ende në fuqi”, tha ai.