Lansohet ueb faqja për raportimin e produkteve të rrezikshme

E publikuar: 10/05/2019 11:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Trupi Koordinues për Mbikëqyrjen e Tregut ka lansuar ueb-faqen për raportimin e produkteve të rrezikshme – RAPEX Kosova me qëllim që gjithë qytetarët e Kosovës të jenë më të sigurt në mallrat dhe produktet që ata i përdorin.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala u shpreh se me anë të kësaj ueb faqe do të mundësohet që konsumatorët në Kosovë të jenë më të sigurt në identifikimin e gjitha produkteve.

“Nga sot me lansimin e kësaj ueb faqe konsumatori ynë do të jetë më i sigurt për produktet që do t’i konsumojë”, tha Shala.

Ai gjithashtu bëri të ditur se mbi 16 mijë produkte kanë tërhequr nga tregu vetëm gjatë vitit të kaluar, transmeton KP.

Shefi i bashkëpunimit në Zyrën e BE-së, Luigi Brusa tha se me anë të kësaj web faqe, përmbushet dhe një aspekt i MSA-së.

Kjo sipas tij, bën që të ketë më shumë informim për gjitha produktet dhe mallrat që hynë dhe janë në Kosovë.

Ai, mes tjerash tha se me anë të Rapex-it do të mbulohen disa produkte të rëndësishme.

“Këto janë përparësi sepse ekziston një instrument që garanton siguri për mallrat që vijnë nga vendet e tjera”, tha ai.

Kurse, kryeinspektori, njëherësh udhëheqës i trupit koordinues Lulzim Syla tha se me anë të kësaj do t’iu lehtësohet më shumë puna e tyre.