Lakuriqi që pi gjakun njerëzor

E publikuar: 15/01/2017 21:44
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shumë gjitarë mund të përshtaten dhe ndryshojnë dieta duke u ushqyer me atë që ofron mjedisi ku ata jetojnë, por ka disa krijesa që jetesën e tyre e kushtëzojnë me një dietë të caktuar dhe fikse.

Mes këtyre krijesave janë edhe tre lloje të lakuriqëve të natës, që kanë evoluuar duke u ushqyer krejtësisht me gjak.

Shkencërisht është provuar se dy prej këtyre llojeve ushqehen me gjakun e kafshëve të ndryshme, që nga zogjtë e kafshë të tjera, ndërsa njëri, i quajtur Diphylla Ecuadata, është konsideruar gjithmonë si gjakpirës zogjsh të vegjël…deri më tani.

Një studim i publikuar në muajin dhjetor në revistën “Acta Chiropterologica” doli për herë të parë në përfundimin se ky lloj lakuriqi i natës ka evoluuar dhe nuk ‘i bën më naze’ as gjakut të njeriut.

Studimi është realizuar nga një grup shkencëtarësh të Universitetit Federal të Pernambukos në Brazil. Ata analizuan feçet e këtij lakuriqi nate dhe në të gjetën gjurmë të gjakut të njeriut.

“U habitëm! Ky lloj lakuriqi nate nuk njihej si i përshtatur për t’u ushqyer me gjakun me proteina të larta të mamalëve”, thotë Enrico Bernard, udhëheqës i studimit.

Në 2005, në Caatinga, një zonë ku shpyllëzimi ka ecur dhe po ecën me shpejtësi, u raportuan me qindra raste kafshimesh nga lakuriqët e natës. Këta të fundit njihen si bartës të mëdhenj virusesh dhe transmetojnë kryesisht tërbimin. Në atë kohë u identifikuar 123 raste më këtë sëmundje, nga të cilët 12 gjetën vdekjen.

Studiuesit thonë se ndryshimi i sjelljes së lakuriqëve të natës është pasojë e shpyllëzimit pa kriter dhe shkatërrimit të habitatit dhe burimit të tyre kryesor të ushqimit, që janë zogjtë e egër.