Lajmet e rreme në vitin 2017

01.01.2018 11:26
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Lajmet e rreme në vitin 2017

Lajmet e rreme, ose së paku diskutimi global për fenomenin ka vazhduar hovin në vitin 2017, duke bërë që Fjalori Collins ta shpallë termin “fjalë të vitit”.

Të përshkruara nga Collins si “informacione false dhe shpesh të bujshme”, lajmet e rreme kanë kumbuar edhe në mediat ruse dhe në peizazhin politik atje.

Ato janë trajtuar me besim nga mediat e shquara në Rusi, figurat publike dhe audienca. Disa prej tyre e kanë pasur origjinën në Rusi – vendin që qeveritë perëndimore e kanë akuzuar për bërjen e lajmeve të rreme pjesë të politikës së jashtme – disa të tjera kanë nisur në vende të tjera.

Moska i ka hedhur poshtë kritikat ndaj saj, përfshirë edhe akuzat se ka krijuar lajme të rreme me qëllim ndërhyrjen në zgjedhjet presidenciale në SHBA, në vitin 2016.

“Kolapsimi i Rusisë”

Një nga lajmet e rreme që ka bërë bujë në Rusi në vitin 2017, ka qenë ai për “kolapsimin e Rusisë”.

Në muajin gusht, një faqe konfuze e internetit, e ngjashme me atë të gazetës britanike The Guardian, ka publikuar një raport të rremë për një komplot të Perëndimit për shkatërrimin e Rusisë.

Raporti ka cituar ish-shefin e inteligjencës britanike, John Scarlett, duke thënë se Britania dhe SHBA-ja planifikojnë të shfrytëzojnë ish-presidentin pro-perëndimor të Gjeorgjisë, Mikheil Saakashvili, dhe një “grindje fiktive midis Ukrainës dhe Rusisë” për të shpërbërë shtetin rus.

“Më duhet të pranoj se luftërat në Gjeorgji dhe Krime – planet më strategjike të SHBA-së dhe Britanisë për rrëzimin e Rusisë – kanë përfunduar me dështim”, ka thënë Scarlett në raportin e fabrikuar.

Lajmi është demaskuar shpejt dhe gazeta britanike The Guardian ka thënë se ai është i rremë dhe “është publikuar në një faqe të rreme që pretendonte të ishte The Guardian”.

Megjithatë, disa media ruse e kanë transmetuar atë, përfshirë edhe rrjetin televiziv kombëtar REN-TV.

“Hamburgeri për Putinin”

Më 7 tetor, në ditëlindjen e presidentit rus, Vladimir Putin, televizioni shtetëror rus dhe agjencitë e lajmeve raportuan se një restorant në Nju Jork po shërben një hamburger të veçantë, për nder të kreut të Kremlinit.

Raporti është bazuar në një video të prodhuar nga Ruptly – një agjenci e lajmeve në pronësi të rrjetit televiziv RT, i cili mbështetet nga Qeveria ruse.

Ruptly ka intervistuar një punëtor në restorantin Lucy’s Cantina Royale në Nju Jork, i cili ka thënë se lokali ka krijuar një hamburger me peshë 1,952 gramë – referencë kjo për vitin e lindjes së Putinit.

“Nuk janë vetëm liderët e huaj që i urojnë ditëlindjen presidentit rus, por edhe qytetarët e zakonshëm. Për më tepër, ata po e bëjnë këtë në mënyra shumë origjinale”, ka thënë folësi i lajmeve në rrjetin shtetëror Rossia-24.

Restoranti ka mohuar se ka nderuar Putinin me hamburger dhe ka thënë se “punëtorët përgjegjës për mashtrimin janë pezulluar, në pritje të hetimeve”.

Një bariste në restorant ka thënë më vonë se ideja e hamburgerit për Putinin ka qenë e saja dhe se ajo ka humbur punën. Punonjësi i filmuar në videon e Ruptly është pushuar po ashtu.

Ruptly më vonë e ka fshirë videon, duke thënë përmes një deklarate se materiali “nuk i ka përmbushur standardet e tij editoriale”.

“Vdekja e nobelistes bjelloruse”

Në muajin maj, një llogari në Twitter që pretendonte të ishte e ministres franceze të Kulturës, Francoise Nyssen, ka shkruar se autorja bjelloruse dhe laureatja e Çmimit Nobel për Letërsi, Svetlana Alexievich, ka vdekur. Nyssen, më herët, ka udhëhequr shtëpinë botuese Actes Sud, të cilën e ka themeluar babai i saj. Kjo shtëpi botuese ka publikuar shkrimet e Alexievichit në frëngjisht, çfarë i ka dhënë besueshmëri lajmit për vdekjen.

Disa media ruse, përfshirë të përditshmen qeveritare Rossiiskaya Gazeta dhe agjencinë shtetërore të lajmeve RIA Novosti, e kanë transmetuar raportin, ashtu si edhe Televizioni Current Time, i cili është një projekt i Radios Evropa e Lirë me Zërin e Amerikës. Mediat evropiane po ashtu e kanë publikuar lajmin, përfshirë gazetën franceze, Le Figaro, dhe të përditshmen portugeze Diario de Noticias.

Por lajmi, në fakt, ka qenë i rremë. Alexievich, 69 vjeçe, ka folur nga Seuli për shërbimin bjellorus të Radios Evropa e Lirë. “Dikush është i padurueshëm”, ka thënë ajo.

“Bin Ladeni në Shtëpinë e Bardhë”

Në muajin nëntor, Maria Zakharova, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme ruse, ka thënë gjatë një debati televiziv se lideri i ndjerë i Al Kaidës, Osama Bin Laden, ka vizituar Shtëpinë e Bardhë.

Zakharova i ka bërë këto komente gjatë një diskutimi për lobimin në SHBA dhe për hetimet që po bën SHBA-ja për ndërhyrjen e dyshuar të Rusisë në zgjedhjet amerikane më 2016.

“Kujtoni fotografitë fantastike të Bin Ladenit në Shtëpinë e Bardhë”, ka thënë mes tjerash Zakharova.

Bin Ladeni, i cili është vrarë në vitin 2011 në Pakistan, nuk e ka vizituar kurrë Shtëpinë e Bardhë. Zakharova nuk e ka specifikuar gjatë programit se për cilat fotografi ka menduar, edhe pse disa media ruse kanë spekuluar se ajo i është referuar një fotografie të montuar, që tregonte ish-Zonjën e Parë dhe ish-sekretaren amerikane të Shtetit, Hillary Clinton, duke shtrënguar duart me liderin e Al Kaidës.

Disa ditë më vonë, Zakharova ka shkruar në Facebook se ajo nuk ka thënë se Bin Ladeni e ka vizituar personalisht Shtëpinë e Bardhë, por “kolegë të tij, këshilltarë të tij”.

Përgatiti: Valona Tela

Komentet

Komente

Sqarim: Ndalohen fyerjet dhe përdorimi i gjuhës ofenduese. INFOSOT mban të drejtën e publikimit ose jo të një komenti të caktuar. Përmbajtja e komenteve nuk pasqyron, qëndrim editorial të redaksisë së portalit INFOSOT. Ju faleminderit për mirëkuptimin!
Konkurs për kameraman/e dhe fotograf/e
artikull i sponzorizuar


Në Prishtinë deri në 5 orë reduktime të energjisë elektrike, qytetarët të indinjuar

Në Prishtinë deri në 5 orë reduktime të energjisë elektrike, qytetarët të indinjuar

Brenda koalicionit qëndrime të ndryshme për demarkacion

Brenda koalicionit qëndrime të ndryshme për demarkacion

Trupi i pajetë i Jonuz Musliut arrin sonte në Kosovë

Trupi i pajetë i Jonuz Musliut arrin sonte në Kosovë

Demarkacioni mbetet pezull, Komisioni e procedoi por Kryesia “s’mund” ta shqyrtojë

Demarkacioni mbetet pezull, Komisioni e procedoi por Kryesia “s’mund” ta shqyrtojë

Lluka tregon se sa dëmtohet Kosova nëse kontrata për Kosovën e Re s’kalon në Kuvend

Lluka tregon se sa dëmtohet Kosova nëse kontrata për Kosovën e Re s’kalon në Kuvend

Zbulohet çfarë tha Dardan Molliqaj në Pejë: Vetëvendosja do të ndahet në dysh

Zbulohet çfarë tha Dardan Molliqaj në Pejë: Vetëvendosja do të ndahet në dysh

Mësohet nga e ka origjinën vetura e djegur pas vrasjes së Ivanoviqit

Mësohet nga e ka origjinën vetura e djegur pas vrasjes së Ivanoviqit

Isa Mustafa po bëhet më mirë me shëndet

Isa Mustafa po bëhet më mirë me shëndet

Ministri premton: Mungesa e barnave do të zgjidhet sivjet!

Ministri premton: Mungesa e barnave do të zgjidhet sivjet!

Qeriqi: Delawie ia don të mirën Kosovës, fajin e kanë partitë

Qeriqi: Delawie ia don të mirën Kosovës, fajin e kanë partitë

“Vdekje e shqiptarëve”, nisin kërcënime ndaj shqiptarëve në Serbi, pas vrasjes së Ivanoviqit

“Vdekje e shqiptarëve”, nisin kërcënime ndaj shqiptarëve në Serbi, pas vrasjes së Ivanoviqit

MASHT-i s’e ka pyetur fare UP-në për Udhëzimin Administrativ për avancime të stafit

MASHT-i s’e ka pyetur fare UP-në për Udhëzimin Administrativ për avancime të stafit

Nora Gjakova fiton medaljen e artë

Nora Gjakova fiton medaljen e artë

Masakra e 20 shqiptarëve me urdhër të Oliver Ivanoviqit. Çka thonë familjarët për vrasjen e tij?

Masakra e 20 shqiptarëve me urdhër të Oliver Ivanoviqit. Çka thonë familjarët për vrasjen e tij?

MASHT nxjerr Udhëzimin për parimet e njohjes së platformave dhe revistave ndërkombëtare

MASHT nxjerr Udhëzimin për parimet e njohjes së platformave dhe revistave ndërkombëtare

Kryetari i Vushtrrisë Përsëri Shpenzon Vetëm 69 Euro

Kryetari i Vushtrrisë Përsëri Shpenzon Vetëm 69 Euro