Lajmet e rreme në balotazhin presidencial çek

E publikuar: 22/01/2018 19:35
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Republikën Çeke, Jiri Drahos u portretizua – pa asnjë provë – si pedofil, hajdut dhe bashkëpunëtor komunist.

Njollat ishin pjesë e akuzave të pabaza në mediat sociale dhe në ueb-faqet e dyshuara për publikim të lajmeve të rreme.

Drahos, pro-evropian, do të sfidojë në balotazh presidentin aktual çek, Millosh Zeman, njërin nga aleatët më të fuqishëm të presidentit rus, Vladimir Putin, në Evropë. Tani që fushata e Drahosit ka marrë hov, dezinformatat janë shfaqur sërish.

Pak ditë deri në rrethin e dytë të votimeve më 26 dhe 27 janar, ueb-faqet pro Zemanit dhe mediat sociale kanë publikuar mesazhe dhe reklama, duke e akuzuar shkencëtarin 68-vjeçar se planifikon t’i hapë kufijtë për imigrantët dhe potencialisht për ekstremistët myslimanë.

“Faktor vendimtar në rrethin e dytë të zgjedhjeve pritet të jetë fushata intensive e drejtuar kundër profesorit Drahos”, thotë Jakub Janda, zëvendësdrejtor i Institutit të Vlerave Evropiane në Pragë.

“Kemi parë tashmë numër në rritje të sulmeve që lidhen me migracionin dhe çështjet e tij personale, të cilat kanë gjasa të intensifikohen”, shton Janda.

Fokusi më i madh ka qenë në rreth 30 ueb-faqe pro-ruse, të cilat kanë publikuar një sërë teorish konspirative, artikuj shpifës dhe retorikë anti-perëndimore kundër NATO-s dhe Bashkimit Evropian – pjesë e të cilave është Republika Çeke.

Këto ueb-faqe vazhdimisht e lavdërojnë Zemanin, i cili kundërshton imigrimin dhe shihet si pro-rus.

Zeman ka fituar rrethin e parë të zgjedhjeve, më 12 dhe 13 janar, me 38.6 për qind të votave, ndërsa Drahos ka dalë i dyti me 26.6 për qind.

“I kam pritur këto gënjeshtra dhe dezinformata”, ka thënë Drahos në përgjigje të disa reklamave më 18 janar, të cilat e kanë cilësuar atë si “mikpritës” – një referencë me dëshirën e tij për të rritur migrimin.

Drahos, gjatë fushatës, ka thënë se i kundërshton kuotat e caktuara nga Bashkimi Evropian, që i detyrojnë shtetet anëtare t’i ndajnë azilkërkuesit, por ka thënë se do të pranonte një numër të kufizuar të tyre nëse i plotësojnë kriteret e caktuara.

Zeman, 73 vjeç, prejse është zgjedhur president katër vjet më parë, ka shprehur pikëpamje anti-migrante, ka nënçmuar myslimanët dhe ka ngrohur marrëdhëniet me Putinin, në kohën kur Rusia, në mënyrë të njëanshme, ka rishkruar kufij evropianë dhe nga shumë shtete perëndimore është akuzuar për ndërhyrje në zgjedhjet e tyre.

Zeman e ka cilësuar krizën e vitit 2015 me migrantë si “pushtim të organizuar” të Evropës dhe ka thënë se myslimanët “nuk mund të integrohen”.

Gjatë fushatës, para rrethit të parë të votimeve, sulmet mediatike kundër Drahosit kanë vënë në pikëpyetje karakterin e tij, duke e akuzuar për bashkëpunim me StB-në – policinë sekrete të kohës komuniste – edhe pse autoritetet çeke kanë konstatuar se ai kurrë nuk ka punuar me këtë polici.

Drahos ka thënë se “Rusia është e interesuar” në zgjedhjet çeke.

Edhe analistët kanë paralajmëruar për ndërhyrjen kryesisht nga Rusia në zgjedhjet çeke, pas dyshimeve për fushata të ngjashme në zgjedhjet në SHBA, Holandë, Francë dhe Gjermani.

Komentet pro-ruse të Zemanit dhe lidhjet midis Moskës dhe disa ndihmësve të tij kanë rritur tutje shqetësimet se Rusia po rrit ndikimin e saj në Çeki.

Martin Nejedly, këshilltar i presidentit për ekonomi, ka punuar në Moskë dhe ka udhëhequr degën e firmës ruse të naftës në Çeki, LUKoil, deri në vitin 2015, kur ajo ka kolapsuar.

Në përgjigje të frikës nga dezinformatat, çekët kanë ngritur vitin e kaluar Qendrën Kundër Terrorizmit dhe Kërcënimeve Hibride. Agjentët e kësaj njësie brenda Ministrisë së Brendshme përpiqen të luftojnë terrorizmin dhe radikalizmin.

Dezinformatat, jo gjithmonë, kanë qenë të njëanshme.

Zeman, i cili ka mbështetjen e komunistëve të pareformuar dhe të ekstremit të djathtë, është ankuar për lajmet se ai është me shëndet të dobët dhe nuk do të jetë në gjendje të përmbushë mandatin e dytë katërvjeçar.

Këto pretendime janë hedhur poshtë nga zyra e presidentit dhe mjeku i tij./rel/