Lajiqi thotë se Serbia s’i ka ndaluar mallrat evropiane të destinuara për Kosovë

E publikuar: 24/11/2018 18:43
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Mediat në Kosovë sot kanë raportuar se Serbia ka marrë vendim që të ndalojë të gjitha mallrat nga Evropa që kanë destinacion tregun kosovar të qarkullojnë nëpër rrugët e saj. Megjithatë, qeveria serbe i mohon të gjitha këto pohime.

Ministri serb i Tregtisë, Rasim Lajiq, ka thënë se kjo nuk është e vërtetë duke shtuar se Serbia nuk hyn në këto aventura.

“Natyrisht se nuk është e vërtetë. Duket se ata po e dëshirojnë këtë lloj zhvillimi e të hyjmë në masa e kundërmasa, në mënyrë që të harrohet se kush e ka nisur i pari e kush është më fajtor”, ka thënë Lajiq për agjencinë serbe të lajmeve “Beta”, transmeton Koha.net.

Ai shton se qëllimi i Kosovës është që ta bëjë bashkësinë ndërkombëtare që për fajin e Kosovës të ndajë fajin në dy pjesë.

“Me një vendim të tillë ne do ta godisnim veten në këmbë. Ka pasur raportime të tilla, por për ne kjo do të ishte skenar i keq. Atëherë s’do të kishim më problem me Kosovën por me BE-në, me të cilët kemi 65 për qind shkëmbime tregtare. Një vendim i tillë do të prekte importuesit në BE më shumë sesa ata në Kosovë”, sqaroi ai.