Lajçaku niset drejt Prishtinës

E publikuar: 16/06/2020 09:55
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, është nisur drejt Prishtinës.

Këtë e ka konfirmuar vet Lajçaku përmes Twitterit. Ai ishte bllokuar dje në Cyrih, pasi Tirana nuk autorizoi uljen e fluturimeve nga Zvicra të planifikuara për orën 13:40.

“Pas një komplikimi të vogël në udhëtim dje, komuniteti ndërkombëtar u aktivizua. Tani janë nisur drejt Prishtinës. Mezi pres të nis vizitën zyrtare në Prishtinë më vonë gjatë ditës”, ka thënë ai përmes një postimi në rrjetin social, Twitter.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi kishte thënë se Lajçaku është i mirëseardhur nëse e kupton që Kosova është shtet sovran dhe i pavarur, ndërsa kryeministri Avdullah Hoti ka konfirmuar se do ta pres në takim për t’i paraqitur qëndrimin e qeverisë rreth çështjes së dialogut.

Në Kosovë, Ambasadori Lajçak do të takohet me udhëheqjen politike, përfaqësuesit e partive politike dhe të komunitetit ndërkombëtar në Kosovë, si dhe krerët e misioneve të vendeve anëtare të BE-së, transmeton Koha.net

Lajçaku arrin në Kosovë një ditë pasi i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka njoftuar se përfaqësuesit e këtyre dy shteteve do të takohen në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor.

Kujtojmë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është pezulluar nga nëntori i vitit 2018, kur autoritetet e Kosovës patën vendosur taksë 100 për qind në mallrat e Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës.