Lajçak sot takohet me Thaçin dhe liderët e partive politike

E publikuar: 14/10/2020 09:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbisë, Mirosllav Lajçak do të qëndrojë në Kosovë për një vizitë treditore ku fillimisht u takua me kryeministrin Avdullah Hoti e më pas edhe me kryeparlamentaren Vjosa Osmani.

Ndërsa, sot Lajçak do të takohet edhe me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, takimi i së cilëve do të nisë në ora 09:35.

Më pas Lajçak do të takohet edhe me liderët e partive politike në vend.

Kjo vizitë vjen në kohën kur tema e Asociacionit të Komunave Serbe ka bllokuar dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë, ku kjo e fundit insiston që të diskutohet kjo temë ndërkohë Kosova vazhdon të refuzojë hapjen e saj.

E Hoti pas takimit që pati me Lajçak të martën, tha se nuk do të ketë Asociacion të Komunave me shumicë Serbe me kompetenca ekzekutive. Hoti përsëriti qëndrimin e tij që tema e asociacionit është mbyllur duke shtuar se Kosova nuk është palë që e bllokon procesin e dialogut.

Pas takimit me diplomatin sllovak, Hoti tha se ka mbështetjen e partnerëve që asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive.