Lahm: E ardhmja e Guardiolës? S’e ka në dorë Bayerni

E publikuar: 28/10/2015 18:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Te Bayerni i Mynihut vazhdon të ziejë cështja e rinovimit të Pep Guardiolës, kontrata e të cilit me kampionët e Bundesligës skadon në fund të sezonit. Drejtuesit bavarezë kërkojnë që tekniku spanjoll të marrë një vendim, por përgjigjja është e njëjtë. Ka kohë për rinovimin e kontratës. Në fakt Bayerni i fushës nuk po e ndien aspak pasigurinë për vijimësinë e Guardiolës, duke kaluar pa problem cdo kundërshtar në të dy kompeticionet, në Bundesligë dhe në Kupën e Gjermanisë. Gjithsesi, futbollistët, ndër të cilët edhe Philip Lahm, presin të reja në lidhje me pankinën.

“Fakti që skuadra po punon shumë mirë nuk është një sekret. Të gjithë lojtarët e ndjekin Guardiolën, por e ardhmja e tij nuk është në dorën e Bayernit. Nuk është normale të jesh në maksimumin e formës në të gjitha kompeticionet, sepse kundërshtarët tanë, po na i bëjnë gjërat të vështira, megjithatë ne jemi gjithmonë të uritur. Jemi energjikë dhe të përqendruar në maksimum, kjo nuk është e vështirë për t’u kuptuar.”

Duket qartë se dyshimet mbi të ardhmen e Guardiolës, nuk e vënë në rrezik objektivin titull. Në fund të sezonit, klubi do të bëjë llogaritë nëse do të vijojë me Guardiolën. Sikurse shprehet Lahm, vendimi i përket vetë trajnerit.