Lahi Brahimaj ftohet nga Gjykata Speciale

E publikuar: 11/02/2019 18:28
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ish-gjenerali i UÇK-së, Lahi Brahimaj është ftuar për intervistim nga Gjykata Speciale.

Listës së eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që kanë marrë ftesë për t’u intervistuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar i shtohet edhe Lahi Brahimaj.

Vetë Brahimaj e ka konfirmuar për Gazetën Express se ka marrë ftesën nga Gjykata Speciale dhe do t’i përgjigjet asaj.

“Jam i gatshëm të bashkëpunoj dhe t’i përgjigjem ftesës sic kam bërë edhe më herët”, ka thënë Brahimaj.

Brahimaj ka qenë zëvendëskomandant i zonës operative të Dukagjinit, ndërsa më parë ishte akuzuar nga Tribunali i Hagës për krime të luftës, por ishte shpallur i pafajshëm.

Ai thotë se është i gatshëm që edhe njëherë t’i përgjigjet një Tribunalit, i cili u formua nga Kuvendi i Kosovës në gusht të 2015-ës.

“Vota ime ka qenë kundër si deputet për këtë gjykatë, por unë e respektoj si kanë votuar shumica e deputetëve”, është shprehur ish-deputeti i AAK-së.