“Lagja e Trimave”, Prokuroria sot jep fjalën e fundit

E publikuar: 20/07/2017 13:52
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Prokuroria sot do të japë fjalën e fundit për ngjarjet në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë, të ndodhura dy vjet më parë. Prokurorët thonë se nga hetimet e kryera deri më tani kanë arritur në përfundimin se liderët e organizimit janë Mirsad Ndrecaj, Beg Rizaj, Xhafer Zymberi (të ndjerë), Zijadin Krasniqi (në arrati) dhe Andi Krasniqi-Malisheva.

Prokuroria pohon se këta liderë, së bashku me pjesëtarët e tjerë të grupit që akuzohen për terrorizëm dhe kanë pasur si qëllim frikësimin konstant te popullata maqedonase.

Kjo sipas tyre, duke sulmuar kohë pas kohe institucionet publike, por edhe duke kryer vrasje. Prokuroria shpjegoi kronologjinë e ngjarjes, duke theksuar se pjesëtarët e grupit kanë hyrë në Lagjen e Trimave të armatosur me municione të kategorisë së rëndë dhe në momentin kur policia ka shkuar në këtë zonë ata kanë qenë të parët që kanë qëlluar, shkruan Alsat M.

Sipas prokurorit Naum Panovski, i akuzuari Andi Krasniqi Malisheva, së bashku me të tjerët kanë qenë të angazhaur të sigurojnë mjete financiare dhe të koordinojnë aktivitetet, ndërsa rangu i dytë i luftëtarëve kanë pasur për detyrë të mbikëqyrin objektet që kanë qenë prita potenciale për sulme. kurse grupi i tretë ka qenë përgjegjës për ndihmë logjistike.

Në pjesën më të madhe të fjalimit përfundimtar të prokurorisë në fokus ishin lëndimet që kanë marrë policët në përplasjen me grupin e armatosur. Vepra për të cilën akuzohen shumica e pjesëtarëve është organizatë terroriste dhe terrorizëm.

Gjatë seancës të akuzuarit Valdet Zekaj, Rufki Dogani dhe Shefqet Hallaqi braktisën sallën në shenjë bojkoti duke thënë se nuk mundeshin t’i dëgjojnë pallavrat e prokurorisë dhe gënjeshtrat që kanë përgatitur. Ndërkohë, i akuzuari Shefqet Hallaqi u kritikua nga gjykata edhe për veshjen e pahijshme.