Ky është serbi që nuk do të refuzonte Kosovën

E publikuar: 15/07/2017 22:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zëvendës-trajneri aktual i Tiranës, Ivan Gvozdenoviç, u transferua në vitin 2010 tek bardheblutë nga klubi i Crvena Zvezdës, mes ankthit se çfarë e priste në Shqipëri dhe dëshirës për të vazhduar karrierën në nivel profesionistësh.

Në një rrëfim special për “Top Channel”, serbi tregon për hapat e parë në kampionatin shqiptar, si dhe për incidentin e shëmtuar të ndodhur në Beograd, në 14 tetor të 2014.

Gvozdenoviç, i cili është pajisur edhe me licensën e trajnerit, nuk e përjashton mundësinë e drejtimit të një klubi kosovar në qoftë se atij do i jepej një shans.

Frika për tu transferuar në Shqipëri

“Kam dëshirë që të flas në shqip, prapë nuk jam shumë mirë, por kam qejf ta provoj. 4 herë kisha refuzuar ofertat nga Tirana sepse nuk e dija çfarë ishte Shqipëria, do kisha probleme apo jo?!

Familja kishe pak problem, mendohu mirë më thoshin, pse shkon andej, më mirë lëre fare futbollin. Unë e dua futbollin dhe isha gati të provoj, përse jo? Sepse nuk kisha frikë, ti e di mirë se çfarë është politika, çfarë është futbolli, çfarë është sporti.”

Transferimi te Tirana

“Kur firmosa me Tiranën ishte një lojtar nga Kroacia, Pero Pejiç, një lojtar nga Bosnja, Mladen Zhizhoviç, edhe unë nga Serbia. Ata kishin shumë respekt për futbollin jugosllav dhe unë isha me fat, pasi kisha qenë me Cervena Zvezda. Ju e dini më mirë, Shqipëria në kohën e Enver Hoxhës, donte italisht, donte ish-Jugosllavinë. Ju e dini që Jugosllavia ka shkollë futbolli shumë të mirë, ka edhe basketboll sigurisht, kjo ishte një plus për mua.”

Miku më i mirë në Shqipëri

“Për Zotin unë kam shumë miq nga Shqipëria dhe Kosova, por kam qenë me Pero Pejic më shumë kohë. Ai është kroat, por për mua nuk ka asnjë problem, jemi të gjithë njësoj. Ne kemi qenë bashkë edhe me Tiranën, edhe me Kukësin, edhe me Korçën.”

Incidentet në ndeshjen Serbi-Shqipëri

“Unë isha në Maqedoni me ekipin e Kukësit, për fazë përgatitore. Ishim bashkë në një hotel, duke parë ndeshjen. Ishin dy lojtarë nga Kosova me ne, domethënë nga Shqipëria. Për mua ishte shumë turp ajo që ndodhi. Për mua ishte një zhgënjim, nuk u ndjeva mirë, u ndjeva i turpëruar. Unë jam këtu prej 6-7 vitesh dhe nuk kam pasur kurrë probleme, kam shumë shokë.”

Licensat e trajnerit

“Po, unë kam licensën, por akoma nuk jam trajner. Tani është puna më e vështirë. Patjetër unë jam gati, por liçensa nuk ka garanci nëse unë jam trajner i mirë apo jo. Vetëm rezultati e tregon, ti e di.”

Drejtimi në Kosovë

“Ta mendoj, pse jo?! Në futboll nuk ke shans të thuash jo. Ne jemi këtu komshinj, jemi miq dhe ky është futboll, nuk është politikë. Nëse do të kisha oferta do ta mendoj mirë, por nuk jam për jo.”