Ky është austriaku që mashtroi me viza pune 70 kosovarë

E publikuar: 22/10/2019 21:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Josef Leutgeb, pronari i firmës “Liberty Market Asset SHPK”, e cila është e regjistruar në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës, është austriaku i cili u arrestua pasditen e së hënës nën dyshimin për mashtrim me viza pune për në Austri.

Leutgeb po dyshohet se mashtroi rreth 70 kosovarë duke ua marrë paratë gjoja se ua rregullon vizat e punës.

Policia e Kosovës njoftoi të martën, përmes raportit 24-orësh, se pas një hetimi disamujor ka arrestuar një shtetas të huaj nën dyshimin për mashtrim të qytetarëve për rregullimin e vizave të punës.

“[…] me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete në mënyrë të kundërligjshme ka vënë në lajthim qytetarë të ndryshëm të Republikës së Kosovës se rregullon viza pune për në një shtet të BE-së duke dëmtuar qytetarët që kanë aplikuar për rregullimin e vizave të punës, secilin prej tyre në vlerë prej 150 deri në 300 euro”, thuhet në komunikatën e policisë.

Tutje në komunikatë bëhet e ditur që i dyshuari ka përfituar një shumë të madhe të parave

“Ekziston dyshimi i arsyeshëm se i dyshuari ka përfituar rreth 11.000 (njëmbëdhjetë mijë euro), duke mashtruar mbi 70 persona”, njofton Policia.