Ky do të jetë çmimi mujor i parkingut për banorët e Prishtinës

E publikuar: 27/06/2020 11:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Muaji korrik do të jetë muaji gjatë të cilit pritet të funksionalizohet pajisja elektronike përmes së cilës do të menaxhohen parkingjet publike afër vendbanimeve në Prishtinë.

Përdorimi i këtij programi kompjuterik fillimisht do të nisë në rrugët më të frekuentuara të qytetit.

Banorët e ndërtesave kolektive do të pajisen me një kartelë dhe përmes një aplikacioni online do të identifikohen si shfrytëzues të rregullt të parkingut, raporton KTV.

Ndërmarrja “Prishtina Parking” siguron personat me nevoja të veçanta se do të ketë hapësira të ndara parkimi.

Sipas rregullores së re, kanë hyrë në fuqi çmimet e reja. Për banorët e qendrës çmimi mujor për shfrytëzimin e parkingjeve është 10 euro, kurse 100 euro pagesa vjetore.

Në zonën e dytë, lagjet si “Dardania”, “Ulpiana” e “Bregu i Diellit”, pagesa mujore për banorët rezidentë është 7 euro, ndërsa ajo vjetore 70 euro.

Kurse banorët jorezidentë për të parkuar automjetet në qendër duhet të paguajnë 1 euro orën, të cilët në një vendparkim mund të qëndrojnë vetëm dy orë. Ndërsa në zonën e dytë çmimi është 50 centë për orë.

Pas zvarritjeve disavjeçare, ndërmarrja “Prishtina Parking” është funksionalizuar dhe aktualisht është duke menaxhuar parkingjet me laurë që nuk gjenden afër vendbanimeve.

Pas anulimit të tre konkurseve, pritet që ndërmarrja të bëhet së shpejti me kryeshef të rregullt ekzekutiv.