Kuvendi votoi në parim plotësim-ndryshimet e Ligjit për deminimin humanitar

E publikuar: 12/10/2020 16:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

(I përmirësuar) Deputetët e Kuvendit të Kosovës me 76 vota pro kanë votuar në parim plotësim-ndryshimet e Ligjit për deminimin humanitar. I njëjti u konsiderua i domosdoshëm për FSK-në pas ndryshimit të mandatit ligjor të tij dhe në bazë kësaj mbështetje i dhanë gjitha grupet parlamentare shqiptare.

Ministri i Mbrojtjes, Anton Quni duke arsyetuar projektligjin tha se qëllimi është inkorporomi i ndryshimeve ligjore të FSK-së.

“Hartimi i këtij projektligji është iniciuar me qëllim të inkorporimeve të ndryshimeve ligjore, si rezultat të ndryshimit mandatit ligjor të FSK-së, por edhe me qëllim të riqëllimit të aktiviteteve të deminimit humanitar dhe strukturave përgjegjëse për këtë aktiviteteve”, tha ai.

Në emër të LVV-së, deputetja Fatmire Kollçaku- Mulhaxha tha se e mbështesin në parim projektligjin.

“Në parim e mbështesim këtë projektligj brenda- dy leximeve do të japim kontributet tona”, tha ajo.

Mbështetje ky projektligj mori edhe nga partia tjetër opozitare PDK. Deputetja Ganimete Musliu tha se kontributin e tyre do të japin mes dy leximeve.

“Grupi parlamentar i PDK-së e mbështet në lexim të parë këtë projektligj dhe kontributin do të jap në mes të dy leximeve”, tha ai.

Ndërkaq, deputeti i LDK-së, Hatim Baxhaku tha se ky projektligj është i domosdoshëm.

“Është i domosdoshëm harmonizimi i ligjit ekzekutues për deminim humanitar. Prandaj LDK përkrah këtë projektligj”, tha ajo.

Seanca plenare po vazhdon me pika të tjera që janë në rend të ditës./E.Zeqiri/