Kuvendi miraton rezolutën për gjenocidin dhe krimet serbe në Kosovë

E publikuar: 15/04/2019 11:59
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kuvendi ka miratuar me 66 vota për formimin e komisionit ad hoc të propozuar nga deputeti Bilall Sherifi, për gjykimin e krimeve të luftës nga shteti serb ndaj popullit të Kosovës.

Grupet parlamentare propozuan anëtarët për këtë komision.

Avdullah Hoti nga LDK-ja propozoi Armend Zemaj si përfaqësues të komisionit, trnsmeton Express.

“Shpresoj se nxjerrim një rezolutë të pranueshme për të gjithë deputetët e kuvendit.

Memli Krasniqi nga PDK-ja propozoi përfaqësues Mërgim Lushtaku.

Albulena Haxhiu nga VV-ja propozoi përfaqësuesen Saranda Bogujevci.

“Përfaqësuesja do ti japë të gjitha propozimet tona të shkruara. Jemi dëshmitar që as EULEX-i, as UNMIK-u nuk e kanë pasë as minimumin e vullnetit për të adresuar problemet e kryera nga Serbia. Ne insistojmë që të ketë një gjykatë vendase dhe qëndrimet tjera do t’i adresojmë në këtë komision.

Teuta Haxhiu nga AAK-ja propozoi përfaqësues Muharrem Nitajn.

“Është e rëndësishme që Kuvendi të flet më një zë përmes një rezolute”.

Shqipe Pantina nga PSD-ja propozoi Aida Dërgutin.

Propozuesi i këtij komisioni, Bilall Sherifi, tha se ky model është marrë nga Parlamenti Evropian në lidhje me rezolutën që e kanë miratuar për Srebrenicën.

“Për model është marrë rezoluta rezoluta e Parlamentit Evropian që kanë miratuar për Srebrenicën. Unë mendoj dhe besoj që edhe në kuvend tonë dhe jashtë mund të kemi ekspertët që mund të na ndihmojnë por modeli i Parlamentit Evropian duhet të jetë i mjaftueshëm. Rezoluta do përdoret pastaj si bazë që do derivojnë të gjitha aktet tjera. Për të dënuar këtë krim të gjenocidit, për të miratuar ligje”, tha ai, raporton EO.

Albert Kinolli nga 6+ propozoi si përfaqësues Danush Ademi.

“Pas 20 viteve pas luftës ky hap është i qëlluar edhe pse pak i vonuar”, tha ai.

Sherifi propozon komision ad hoc dhe rezolutë për krimet e luftës

Kuvendi i Kosovës pas një ore vonesë ka filluar seancën plenare. Në rend dite janë 44 pika të papërfunduara nga seancat e kaluara.

Deputeti i Nismas, Bilall Sherifi, pati një propozim që të krijohet një komision ad hoc për krimet e luftës dhe të nxjerrët një rezolutë nga ajo.

“Duke pasë parasysh deklarimet e partive politike lidhur me sanksionimin e krimit të gjenocidit nga Serbia, nga shteti, ushtria nga gjitha segmentet e Serbisë në Kosovë mendoj që është koha të krijojmë një komision ad hoc nga kuvendi dhe të gjitha deklarimet të partive to shkrijmë në një rezolutë të përbashkët”, tha Sherifi.

“…Që nga e premtja kam pasë kontakte edhe me parti politike të cilat në parim kanë thënë se jemi dakord të filloj një proces i tillë dhe në mbështetje edhe të kryetarit që të filloj ky proces dhe në komision të gjitha partitë do dërgojnë përfaqësuesit e tyre që ta bëjnë një rezolutë. Unë kam një propozim për rezolutë. Kërkoj mirëkuptim dhe mbështetje që sot në këtë seancë grupet parlamentare të dërgojnë nga një përfaqësues dhe të krijohet komisioni”.